Spahiu: Koha që RTK-ja të përfshihet në Eurovision [Video]

Spahiu: Koha që RTK-ja të përfshihet në Eurovision [Video]

Showbiz May 30, 2026 - 20:47

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) sërish me kërkesë për përfshirje në Festivalin Evropian të Këngës. Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshëm të transmetuesit publik, Zana Spahiu, ka adresuar një kërkesë të ripërtërirë, dhe të mbështetur në mënyrë strategjike lidhur me përfshirjen e RTK-së në Festivalin Evropian të Këngës, që vitin e ardhshëm do të mbahet në Bullgari, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen në Junior Eurovision Song Contest, që do të mbahet në Maltë.

Në kërkesën e adresuar, nënvizohet se që nga viti 2013, janë dërguar disa kërkesa formale pranë EBU-së, duke vënë në pah se për më shumë se dy dekada, RTK ka dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm institucional ndaj Eurovisionit, duke promovuar në mënyrë aktive vlerat e tij dhe duke siguruar një angazhim të fortë të audiencës në Kosovë me një nga platformat kulturore më me ndikim në Evropë.

Spahiu ka kërkuar një rivlerësim vendimtar në përputhje me politikat e EBU-së lidhur me pjesëmarrjen e RTK-së, duke nënvizuar se Asambleja e Përgjithshme e ardhshme do të shqyrtojë ndryshime të rëndësishme në Statutin e EBU-së, përfshirë krijimin e kategorive të reja dhe të kufizuara të anëtarësimit, si Anëtarësimi Jashtë-Evropian dhe Anëtarësimi Ndihmës. Në kontekst të këtyre zhvillimeve, Spahiu shpreh besimin se përfshirja e RTK-së duhet të konsiderohet si pjesë e këtij evolucioni strategjik më të gjerë, duke siguruar konsistencë, drejtësi dhe besueshmëri afatgjatë në kornizën e anëtarësimit të EBU-së.

Në kohën kur Festivali i Këngës në Eurovision, ka ec përtej një kornize strikte, gjeografike në një platformë globale, mbajtja e një qëndrimi kufizues ndaj Kosovës rrezikon të krijojë një mospërputhje strukturore që është gjithnjë e më e vështirë për t’u justifikuar, nënvizon Spahiu, duke shtuar se Programi i RTK, reflekton pikërisht parimet që Eurovision synon të promovojë: diversitetin, përfshirjen dhe dialogun kuptimplotë kulturor.

Spahiu përmend edhe hapat konkretë gjatë tri viteve të fundit me organizimin e edicioneve të Festivalit të RTK-së, dhe përgatitjet për edicionin e katërt, nën një format të ri dhe më ambicioz të titulluar ‘Akordet e Kosovës’, iniciativë që është konceptuar si mekanizëm përzgjedhës kombëtar, me objektivin strategjik për të dërguar përfaqësuesin e Kosovës në Eurovision Song Contest 2027. Përmes kësaj letre, ushtruesja e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të transmetuesit publik, ka shprehur gatishmërinë e RTK-së për të kontribuar në mënyrë domethënëse në ekosistemin e Eurovisionit.