Rama mbron financimin me 4 milionë euro të koncertit të Kanye Westit: Do të sjellë të paktën 100 milionë euro të ardhura

Rama mbron financimin me 4 milionë euro të koncertit të Kanye Westit: Do të sjellë të paktën 100 milionë euro të ardhura

Showbiz July 08, 2026 - 10:40

Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë të mërkurë lidhur me debatet për financimin e koncertit të Kanye Westit, duke argumentuar se ndërhyrja financiare ishte e domosdoshme për të mos dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe për të garantuar zhvillimin e një eventi me ndikim të madh ekonomik e turistik.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama deklaroi se u vunë në dispozicion katër milionë euro “në minutën e fundit”, për të shmangur dështimin e koncertit.

“4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye Westit; për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës”.

Sipas kreut të Qeverisë, koncerti pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në ekonomi. Ai solli si shembull finalen e UEFA Conference League, e cila sipas tij gjeneroi 160 milionë euro të ardhura, ndërsa për koncertin e Kanye Westit Qeveria parashikon rreth 100 milionë euro përfitime.

“Nga ky koncert – në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve – ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura. Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com për të premten, të shtunën e të dielën, për të krijuar një ide të përfitimit direkt ekonomik”.

Rama iu përgjigj edhe kritikëve, të cilët kanë kundërshtuar përdorimin e fondeve publike për organizimin e koncertit.

“Sorrat dhe korbat e kanaleve sociale janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e ‘koncertit privat’, siç e quajnë djallëzisht”.

Kryeministri theksoi se Qeveria ka rritur ndërkohë financimet për sektorin e shëndetësisë dhe mbështetjen sociale.

“Vetëm pak ditë më parë ne nxorëm 15 milionë euro plus vetëm për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore; dyfishuam mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar, mbështetëm kujdestarët e tyre, dyfishuam mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta, dyfishuam financimin e Start Up-eve dhe garancinë sovrane për programin ‘Dyfisho biznesin tënd’”.

Në fund të reagimit, Rama akuzoi kundërshtarët se synojnë të pengojnë zhvillimin e vendit.

“Duan të ndalin dhe kthejnë mbrapa Shqipërinë! Me dhunën e arbitraritetit, të sharjeve, të shpifjeve, të akuzave dhe kërcënimeve për këdo që mendon ndryshe prej tyre. Ta harrojnë! Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht”.