Moment i veçantë në koncertin e Yll Limanit, Sinan Vllasaliu interpreton me të “Ditë e natë” [video]
Mbrëmja e së premtes në Prishtinë ishte e rezervuar për Yll Limanin, i cili mbajti koncertin e tij të madh në kryeqytet, duke mbledhur mijëra adhurues në një atmosferë të mbushur me emocion, energji dhe muzikë.
Këngëtari solli një performancë të fuqishme, duke konfirmuar edhe një herë raportin e ngushtë që ka ndërtuar ndër vite me publikun e tij.
Përveç repertorit të pasur me hitet më të njohura, të cilat u interpretuan në kor nga të pranishmit, koncerti u shoqërua edhe me disa surpriza.

Një prej momenteve më të spikatura të mbrëmjes ishte paraqitja në skenë e ikonës së muzikës shqiptare, Sinan Vllasaliut, i cili ishte i ftuari special i koncertit.
Pak para se ai t’i bashkohej Yllit në skenë, këngëtari interpretoi hitin e tij të njohur, “Sa vite”.
Më pas, Ylli Limani dhe Sinan Vllasaliu performuan së bashku këngën “Ditë e natë”, duke dhuruar një nga momentet më të veçanta të koncertit.
Në skenë u ngjit edhe Rina Balaj, e cila interpretoi së bashku me Yllin bashkëpunimin e tyre më të ri, të publikuar vetëm pak ditë më parë. /telegrafi