Dua Lipa rikthehet në Prishtinë për “Sunny Hill” - publikon pjatën me pite, speca dhe ajvar
Ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, ka mbërritur në Prishtinë për edicionin e shtatë të festivalit “Sunny Hill”, i cili hap dyert sot dhe do të vazhdojë edhe më 1 e 2 gusht.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtarja ka shprehur emocionet për rikthimin në Kosovë dhe për nisjen e festivalit.
Dua ka treguar se mbrëmjen e kaluar ka vizituar hapësirën ku do të mbahet eventi, për t’u siguruar se gjithçka është gati para hapjes zyrtare.
Ajo ka shprehur krenari për punën e familjes dhe të ekipit organizativ, të cilët janë angazhuar për realizimin e këtij edicioni.
Krahas përgatitjeve për festivalin, artistja ka ndarë edhe një moment të veçantë personal, duke bërë të ditur se është bërë kumbarë.
Në fotografitë e publikuara, Dua Lipa ka treguar edhe ushqimet tradicionale shqiptare që po shijon gjatë qëndrimit në Kosovë, duke përfshirë flinë, piten, specat e mbushur, ajvarin dhe sallatën.
“Shihemi sonte, Prishtinë”, ka shkruar ajo, duke rritur pritshmëritë e mijëra fansave që pritet të marrin pjesë në festival gjatë tri netëve.
