Këngëtari britanik akuzon rrejshëm Dua Lipën se ka thënë që “Izraeli duhet të fshihet nga faqja e dheut”
Këngëtari britanik Boy George ka nxitur polemika të reja pas publikimit të këngës së tij të diskutueshme pro Izraelit, pasi ka pretenduar në mënyrë të rreme se këngëtarja me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka deklaruar se Izraeli “duhet të fshihet nga faqja e dheut”.
Në një postim në X më 6 gusht, frontmeni i Culture Club ka shprehur pakënaqësinë ndaj kritikave për këngën e tij, e cila është krijuar pjesërisht me inteligjencë artificiale.
“Pse Dua Lipa lejohet të thotë ‘Izraeli duhet të fshihet nga faqja e dheut’, ndërsa unë abuzohem pse mbroj miqtë e mi hebrenj?”, ka shkruar Boy George, duke e etiketuar këngëtaren.
Kur një përdorues e pyeti për burimin e kësaj deklarate, Boy George publikoi pamje të postimeve që pretendonin se Dua Lipa kishte thënë: “Përderisa Izraeli vazhdon të ekzistojë në Tokë, nuk do të ketë paqe”.
Megjithatë, sipas materialit të publikuar, nuk ka asnjë burim të besueshëm që konfirmon se Dua Lipa ka bërë deklarata të tilla, transmeton Zeri.info.
Dua Lipa ka shprehur më parë mbështetjen e saj për një Palestinë të lirë, por deklaratat që i atribuohen asaj nga Boy George nuk janë verifikuar nga burime kredibile. /Zëri