Bloomberg: Dua Lipa po e ndryshon imazhin e Kosovës përmes muzikës

Bloomberg: Dua Lipa po e ndryshon imazhin e Kosovës përmes muzikës

Showbiz September 01, 2026 - 10:22

Festivali Sunny Hill, i themeluar nga Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, është shndërruar në një prej ngjarjeve më të rëndësishme muzikore në rajon, duke tërhequr dhjetëra mijëra vizitorë nga e gjithë bota dhe duke ndikuar në zhvillimin e industrisë muzikore në Kosovë.

Prestigjiozja amerikane Bloomberg i ka kushtuar një artikull Sunny Hill Festivalit, duke e vënë në fokus ndikimin që eventi i themeluar nga Dua Lipa dhe familja e saj ka në promovimin ndërkombëtar të Kosovës, transmeton Zeri.info.

Sipas Bloomberg, Sunny Hill tashmë po ndihmon në rritjen e industrisë muzikore në vend, ndërsa festivali në Prishtinë është shndërruar në një ngjarje që sjell në Kosovë artistë dhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës.

Edicioni i këtij viti ka tërhequr rreth 120 mijë persona gjatë tri ditëve, me pjesëmarrës nga më shumë se 60 shtete. Shifrat e fundit e kanë konsoliduar Sunny Hillin si një prej festivaleve më të mëdha muzikore në Evropën Juglindore.

Ambicia për ta dyfishuar numrin e vizitorëve

Bloomberg raporton se organizatorët kanë ambicie edhe më të mëdha për të ardhmen.

Dukagjin Lipa, themelues i Sunny Hill Festivalit, synon që gjatë pesë viteve të ardhshme numri i vizitorëve të dyfishohet, duke arritur në rreth 75 mijë persona për natë.

Për realizimin e këtij objektivi, sipas tij, nevojiten më shumë hapësirë, infrastrukturë dhe financim. Bloomberg thekson gjithashtu se Lipa nuk dëshiron që zgjerimi i festivalit të bëhet në dëm të lirisë artistike dhe që investimet të orientohen vetëm nga kthimi financiar.

Miliona euro për ekonominë e Kosovës

Sunny Hill nuk ka vetëm ndikim në skenën muzikore, por edhe në ekonominë e Kosovës.

Sipas të dhënave të publikuara nga organizatorët dhe të cituara nga partnerët ndërkombëtarë të festivalit, edicioni i vitit 2025 gjeneroi rreth 22 milionë euro ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik, duke përfshirë hotelet, restorantet, transportin, shitjet me pakicë dhe bizneset e tjera lokale.

Ndërkohë, sipas një vlerësimi më të gjerë të gjurmës ekonomike të vizitorëve, ndikimi mund të afrohet në 50 milionë euro për edicion, kur përfshihen edhe shpenzimet e familjarëve dhe shoqëruesve të vizitorëve ndërkombëtarë dhe të diasporës, transmeton Zeri.info. 

Gjatë edicionit të vitit 2025, hotelet në Prishtinë arritën nivele të shfrytëzimit prej rreth 99 deri në 100 për qind, ndërsa në pjesën tjetër të Kosovës shfrytëzimi i kapaciteteve të akomodimit ishte rreth 96 për qind.

Nga festivali në një industri më të madhe

Sunny Hill u themelua në vitin 2018 nga Dua Lipa dhe Dukagjin Lipa me synimin për të sjellë në Kosovë artistë ndërkombëtarë të përmasave botërore.

Në vite, në skenat e festivalit kanë performuar emra të njohur të muzikës ndërkombëtare, ndërsa eventi është kthyer në një pikë takimi për artistë, profesionistë të industrisë dhe fansa nga vende të ndryshme.

Përveç emrave ndërkombëtarë, festivali u ka krijuar një platformë edhe artistëve nga Kosova, duke u mundësuar atyre të performojnë para një audience ndërkombëtare.

Kjo është një prej arsyeve pse Bloomberg e sheh Sunny Hillin jo vetëm si një festival muzikor, por si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë për zhvillimin e industrisë së muzikës në Kosovë.

“Ta sjellim botën në Kosovë”

Vetë Dukagjin Lipa ka theksuar se synimi i Sunny Hillit ka qenë gjithmonë më i gjerë sesa organizimi i një festivali.

“Për disa ditë çdo verë, ne e sjellim botën në Kosovë”, ka deklaruar ai në kuadër të promovimit ndërkombëtar të festivalit.

Edicioni i vitit 2026 është zhvilluar më 31 korrik dhe më 2 gusht në Prishtinë, me një program ku ishin përfshirë emra si Katy Perry, Martin Garrix, Keinemusik dhe PAWSA, duke e mbajtur Sunny Hillin në qendër të vëmendjes së skenës ndërkombëtare të festivaleve.

Me rritjen e numrit të vizitorëve, ndikimin ekonomik dhe ekspozimin ndërkombëtar, Sunny Hill është shndërruar në një prej shembujve më të dukshëm se si muzika dhe kultura mund të përdoren për të promovuar një vend në skenën ndërkombëtare.

Në këtë histori, roli i Dua Lipës mbetet qendror: një artiste me famë globale, e cila përmes festivalit të krijuar në vendin e origjinës së familjes së saj po ndihmon që Kosova të prezantohet përtej narrativave tradicionale dhe përmes muzikës, kulturës dhe potencialit të saj rinor./Zëri