Samsung kundërpërgjigjet ndaj Dua Lipës, kërkon rrëzimin e padisë prej 15 milionë dollarësh
Samsung ka kërkuar nga gjykata rrëzimin e padisë prej 15 milionë dollarësh (rreth 13 milionë euro) të ngritur nga Dua Lipa, lidhur me përdorimin e paautorizuar të imazhit të këngëtares në kutitë e televizorëve të kompanisë.
Në një parashtresë të re të dorëzuar të enjten dhe të siguruar nga “Rolling Stone”, avokatët e kompanisë argumentojnë se këngëtarja nuk ka bazë për të ngritur padi, pasi, sipas tyre, në përdorimin e imazhit të saj “nuk ka asgjë që sugjeron se paditësja i mbështet ose i promovon televizorët”, shkruan Rolling Stones.
“Fotografitë thjesht paraqesin ndërfaqen e televizorëve në ekran, duke ilustruar aplikacionet dhe... një shembull të përmbajtjes që mund të gjendet në televizor”, kanë argumentuar avokatët e Samsung.
Bëhet fjalë për kuti të disa modeleve të televizorëve Samsung që përfshijnë shërbimin Samsung TV Plus, ku imazhi i Dua Lipës është përdorur për të promovuar kanalin “Xite Hits”. Në të njëjtat kuti shfaqen edhe logo të tjera, përfshirë MLB, Fox Sports dhe serialin kriminal “The First 48”.
Samsung kishte deklaruar më herët se kishte marrë “garanci të qartë” nga një prej partnerëve të saj të përmbajtjes se ishin siguruar të gjitha lejet e nevojshme për përdorimin e imazhit.
“Imazhi i zonjës Lipa u përdor në vitin 2025 për të pasqyruar përmbajtjen e partnerëve tanë të palëve të treta, e cila është e disponueshme në televizorët Samsung dhe fillimisht ishte siguruar nga një partner i përmbajtjes për shërbimin tonë falas të transmetimit, Samsung TV Plus”, kishte deklaruar kompania në përgjigje të padisë fillestare.
Sipas Samsung, imazhi është përdorur vetëm pasi kompania kishte marrë garanci të qartë nga partneri se leja për përdorimin e tij ishte siguruar, përfshirë edhe përdorimin në kutitë e televizorëve që shiteshin në dyqane.
“Duke pasur parasysh këtë garanci, ne i mohojmë të gjitha pretendimet për keqpërdorim të qëllimshëm”, kishte thënë kompania.
Përfaqësuesit e Dua Lipës dhe Samsung nuk kanë dhënë menjëherë një koment lidhur me zhvillimet e fundit.
Ekipi ligjor i këngëtares ngriti padinë ndaj Samsung Electronics në një gjykatë federale në Kaliforni në maj, pasi, sipas avokatëve të saj, kompania kishte injoruar disa urdhra për ndalimin e përdorimit të imazhit.
Në padinë fillestare, përfaqësuesit ligjorë të Lipës argumentuan se Samsung kishte përdorur pa autorizim një fotografi të mbrojtur me të drejtë autori dhe e kishte vendosur atë në mënyrë të dukshme në pjesën e përparme të kutive të televizorëve të prodhuar nga kompania.
Sipas padisë, Dua Lipa kërkon dëmshpërblim për shfrytëzimin komercial të paautorizuar të imazhit dhe identitetit të saj, duke e akuzuar Samsung-un për shkelje të të drejtave të autorit, shkelje të markës tregtare dhe cenim të së drejtës së saj mbi përdorimin komercial të imazhit.Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga gjykata, ndërsa Samsung po kërkon që padia prej 15 milionë dollarësh të rrëzohet. /telegrafi

