Lila Moss synon të shkëputet nga hija e Kate Moss, thuhet se lihet shpesh vetëm në prapaskenat e sfilatave
Lila Moss, vajza e supermodeles Kate Moss, thuhet se është përballur me një qëndrim të ftohtë nga disa modele të tjera, ndërsa përpiqet të ndërtojë karrierën e saj në modë pa kërkuar trajtim të veçantë.
23-vjeçarja mori pjesë të premten në sfilatën e H&M gjatë Javës së Modës në Londër. Sipas një burimi, Lila është rezervuar njësoj si modelet e tjera dhe nuk ka kërkuar privilegje për shkak të familjes së saj.
Megjithatë, burimi pretendon se ajo shpesh është lënë vetëm prapa skenave dhe është trajtuar me indiferencë nga modele të tjera, shkruan DailyMail.
Lila është vajza e Kate Moss dhe redaktorit të revistës Jefferson Hack. Edhe pse pranon se mbiemri i nënës i ka hapur disa dyer, ajo dëshiron të krijojë një emër të sajin në industri.
E menaxhuar nga agjencia e modës së Kate Moss, Lila debutoi zyrtarisht në pasarelë në vitin 2020, kur hapi dhe mbylli sfilatën e Miu Miu për koleksionin Pranverë/Verë 2021.
Që atëherë, ajo ka marrë pjesë në fushata të markave të njohura si Gucci, Fendi, Marc Jacobs Beauty dhe YSL Beauty.
Sipas raportimeve, Lila u ka rrëfyer miqve se gjatë viteve ka pasur raste kur modele të tjera e kanë injoruar ose e kanë lënë krejtësisht vetëm.
Përfaqësuesi i saj nuk ka dhënë koment për këto pretendime. Ndërkohë, Lila ka treguar më parë se kontrollon garderobën e nënës së saj të paktën një herë në javë. /telegrafi

