Ëndrra “Champions” e Feronikelit vazhdon sonte nga Prishtina

Ëndrra “Champions” e Feronikelit vazhdon sonte nga Prishtina

Sport July 16, 2019 - 08:10
Detajet

Feronikeli e zhvillon sonte ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës The New Saints në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 20:45. Optimizmi i skuadrës nga Drenasi për ta kaluar xhiron e parë në Ligën e Kampionëve është shumë i madh.

Krejt kjo vjen për faktin se skuadra ka arritur që të barazojë në ndeshjen e parë të zhvilluar në Uells, me rezultat 2:2, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Aventura e Feronikelit në Ligën e Kampionëve vazhdon sonte. Kampionët në fuqi të Kosovës do të përballen me skuadrën uellsiane The New Saints në kuadër të xhiros së parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja e parë e zhvilluar një javë më parë në Uells dhuroi dramë të vërtetë, duke u mbyllur me rezultat 2:2.

Sfida do të zhvillohet nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërkohë që interesimi i opinionit kosovar për këtë duel është i madh.

Skuadra e cila e kalon këtë fazë do të përballet me ekipin Copenhagen në xhiron e dytë, ndërkohë që ekipi që eliminohet do ta vazhdojë ëndrrën evropiane në Ligën e Evropës, derisa do të përballet me fituesin e duelit Slovan Bratislava – Sutjeska.

Rexha e vlerëson kundërshtarin, por beson në kalimin e turit

Optimizmi te skuadra nga Drenasi para ndeshjes nuk është duke munguar. Top-shënuesi i Superligës për edicionin e kaluar, Kastriot Rexha, ka besim të plotë te skuadra e tij.

“Për neve është ndeshja më e rëndësishme deri më tash, duke e pasur parasysh faktin se bëhet fjalë për kualifikim në rundin e dytë të Ligës së Kampionëve. Ne shpresojmë se do të tregojmë lojë të mirë, në mënyrë që të arrijmë rezultat pozitiv, i cili na dërgon në fazën tjetër”, ka thënë Kastriot Rexha në një bisedë për gazetën “Zëri” të hënën.

“Kasko” ndër të tjera e ka komentuar edhe kundërshtarin. “Kundërshtari është një skuadër me shumë përvojë në këtë garë dhe është ekip i fortë. Këtë e kemi parë edhe në ndeshjen e parë, mirëpo ne kemi besim te skuadra jonë”, potencoi Kastriot Rexha.

Fazliu kërkon seriozitet maksimal

Astrit Fazliu ishte “trim” i ndeshjes së parë të zhvilluar në Uells. Ai e realizoi golin e barazimit nga penalltia në minutat e fundit të kohës shtesë.

Sulmuesi kosovar asistoi edhe në golin e parë të realizuar nga Mevlan Zeka.

Fazliu ndeshjen e “Fadil Vokrrit” e vlerëson si shumë të vështirë.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse TNS-ja është një ekip i mirë dhe duhet të kemi shumë kujdes. Duhet që ta marrin ndeshjen shumë seriozisht”, ka thënë për “Zërin” Astrit Fazliu.

“Sigurisht që ne do të futemi në ndeshje për të fituar, sepse duke e kërkuar fitoren besoj se do ta arrijmë kualifikimin. Përparësi e skuadrës sonë është rezultati i ndeshjes së parë, i arritur në Uells. Nuk duhet harruar se edhe kundërshtari është ekip i përgatitur shumë mirë. Ata për shumë vite janë shpallur kampionë në Uells dhe kanë përvojë të madhe në garat ndërkombëtare. Gjithsesi, me seriozitet në lojë besoj se do të kalojmë në turin tjetër”, deklaroi ndër të tjera Astrit Fazliu./Zëri.info