Pagesa e policisë në stadium nga 450 deri në 500 euro

Pagesa e policisë në stadium nga 450 deri në 500 euro

Sport August 21, 2019 - 09:31
Detajet

Klubet kosovare nuk po e kanë aspak të lehtë t’i përballojnë shpenzimet e mëdha që janë krijuar sidomos në vitet e fundit, kur futbolli i Kosovës është pranuar në UEFA dhe në FIFA.

Shpenzimet për një ndeshje janë goxha të mëdha, ndërkohë që barrë e madhe mbetet edhe pagesa, që klubet duhet ta kryejnë për sigurinë ndaj Policisë së Kosovës.

Krahas Policisë, klubet duhet të paguajnë edhe sigurim privat, në mënyrë që siguria të jetë për një ndeshje

Me brengën e njëjtë po përballet edhe klubi i Llapit. Trajneri i këtij ekipi, që gjithashtu është edhe donator në ekip, Tahir Batatina, vlerëson se klubi i tij po shpenzon shumë para vetëm për sigurinë e një takimi. “Pagesa për një ndeshje është nga 450 deri në 500 euro. Klubit po i kushton edhe sigurimi 350 euro për një ndeshje. Kjo është kosto shumë e madhe dhe pa nevojë. Policia e ka për detyrë mbajtjen e sigurisë dhe qetësinë publike, jo klubi të mendojnë për sigurinë e qytetarëve”, deklaroi Tahir Batatina për gazetën “Zëri”.

Ky i fundit mendon se Federata e Futbollit e Kosovës duhet të marrë masa. “Mendoj se institucionet tona, FFK-ja duhet të marrë masa që të paktën Policia të paguhet nga FFK-ja dhe jo nga klubet. Ne e kuptojmë se është e arsyeshme që sigurimin ta paguajë klubi, kjo është shumë normale. Kryetari i FFK-së Agim Ademi dhe Komiteti Ekzekutiv duhet të mendojnë që klubeve t’u bëhen lehtësira në aspektin financiar”, vlerësoi Tahir Batatina.