Zbulimet e ‘frikshme’, futbollistët janë shumëherë më të rrezikuar se personat e tjerë për këto sëmundje

Zbulimet e ‘frikshme’, futbollistët janë shumëherë më të rrezikuar se personat e tjerë për këto sëmundje

Sport October 28, 2019 - 09:56
Detajet

Një kërkim i Universitetit të Glasgout ka gjetur se ish-futbollistët profesionistë janë më të rrezikuar të preken nga dementia, një sëmundje serioze e trurit. Madje ata janë tri herë e gjysmë më të rrezikuar të vuajnë nga kjo sëmundje se të tjerët, shkruan sot, gazeta "Zëri" 

Ish-futbollistët profesionistë janë tre herë e gjysmë më të rrezikuar që të vuajnë nga dementia dhe nga sëmundje të tjera serioze neurologjike, sipas një studimi të fundit, duke konfirmuar dyshimet e shumta që lidheshin mes sportit dhe dëmtimit të trurit, shkruan e përditshmja angleze “The Guardian”.

Një kërkim 22-mujor nga Grupi i Lëndimeve të Trurit të Universitetit të Glasgout gjithashtu zbuloi se ekziston rreziku pesëfish më shumë për Alzheimerin, katërfish më shumë në sëmundjen e neuroneve motorike dhe dyfish më shumë në Parkinson.

Raporti nuk ishte në gjendje të tregonte nëse shkaktimi i sëmundjeve të niveleve të larta të trurit ishte për shkak të tronditjeve të vazhdueshme, të goditjeve me kokë ndaj topit ose të ndonjë faktori tjetër. Sidoqoftë, Federata e Futbollit e Anglisë, që ndihmoi në këto kërkime, tha se do të ndërtojë një task-forcë për të ekzaminuar më tepër shkaktarët potencialë.

Familja e ish-sulmuesit të West Bromwichit Jeff Astle, i cili vdiq në vitin 2002 për shkak të asaj që një mjek ligjor e kishte quajtur “një sëmundje industriale”, e shkaktuar për shkak të goditjeve të forta me kokë gjatë karrierës së tij, tha se ishin të tronditur nga shkalla e problemit. “Ndjesia ime është se jam i tronditur, edhe pse kërkimi im dhe instinkti gjithmonë më thoshin se kishte një problem serioz”, ka thënë vajza e tij, Dawn Astle, që është kontaktuar nga familjarët e mbi 400 ish-futbollistëve të diagnostikuar me dementia. “Nuk do të ketë festime. Ne e dinim që babai ynë nuk ishte i vetmi. Ne thjesht donim që kjo pyetje të gjente përgjigje. Ne thjesht donim të shihnim që futbolli interesohej mjaftueshëm për të gjetur shkallën e problemit, të bëjë gjënë e duhur dhe të jetë aty për këta njerëz kur kanë më së shumti nevojë. Çfarëdo që bëjnë më tutje, duhet të përfshijë të gjitha pjesët e lojës. Këta lojtarë që kanë vuajtur nga dementia nuk duhet të jenë statistikë – ata nuk duhet të harrohen kurrë”, është shprehur ajo.

Federata Angleze konfirmoi se pavarësisht studimit, që shfrytëzoi të dhënat e digjitalizuara të pacientëve në Skoci për të krahasuar shkakun e vdekjes së 7.676 ish-lojtarëve profesionistë, të cilët kanë lindur gjatë periudhës 1900-1976 ndaj atyre 23.000 personave të tjerë të popullsisë së përgjithshme, ende nuk pati prova të mjaftueshme për të ndryshuar ndonjë aspekt të lojës. “Kërkimi ynë tregon numrat e dyluftimeve në ajër, që tashmë janë ulur qartazi gjatë viteve për shkak se ne kemi ndryshuar në fusha më të vogla dhe në futboll të bazuar në posedim”, thotë shefi ekzekutiv i Federatës Angleze, Marc Bullingham. “Sidoqoftë, derisa prova të reja dalin në dritë ne do të vazhdojmë të monitorojmë dhe të rishikojmë të gjitha aspektet e lojës”, shtoi ai.

Të dhënat nga “Opta” mbështesin vlerësimet e Bullinghamit me harkimet e larta në Premierligë, që kanë rënë prejse “Opta” filloi të mbajë të dhëna në 2006-n, nga 38,2 për ndeshje në edicionin 2008/2009 në 24,2 në edicionin e kaluar. Sidoqoftë, kërkimi është ende i interesuar të shtojë presionin në Bordin e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, për të konsideruar zbatimin e rregullave që të lejojnë “zëvendësimet pas tronditjeve” nëse një lojtar merr një lëndim në kokë gjatë një ndeshjeje.

Shumë doktorë dhe ish-lojtarë kanë qenë kritikë ndaj përgjigjes së zbehtë nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë për problemin e dementias gjatë dekadës së fundit, me Chris Suttonin, babai i të cilit Mike, gjithashtu një ish-lojtar i Norwichit, vuajti nga dementia, bëri thirrje për kërkim falje. “Nëse Gordon Taylor do të kishte ndonjë gjë për të, ai do t’u kërkonte falje të gjithë anëtarëve të shoqatës dhe të gjitha familjeve, të cilat i ka dëshpëruar ... anëtarët e tij që kanë vdekur në mënyrën më të tmerrshme dhe më poshtëruese ... ai dëshpëroi babin tim dhe qindra të tjerë”, kishte shkruar Sutton në rrjetin social “Twitter”.

Sidoqoftë, shefi ekzekutiv në detyrë i Premierligës, Bobby Barnes, tha se organizata tani e kupton më mirë shkallën e problemit. Ai shtoi se pesë anëtarë të Bordit të Premierligës janë pajtuar për të dhuruar trurin e tyre për kërkime mjekësore pasi të vdesin.

Kërkimi i Universitetit të Glasgout gjithashtu gjeti se ish-futbollistët kanë më pak mundësi të vdesin nga problemet e tjera, si sëmundjet e zemrës dhe kanceri dhe se mesatarisht jetojnë tre ose katër vjet më gjatë.

Dr. Carol Routledge, drejtori i Kërkimeve të Alzheimerit në Mbretërinë e Bashkuar, tha se përftimet e të luajturit futboll i tejkalojnë disavantazhet. “Dementia shkaktohet nga një sëmundje komplekse e trurit dhe rreziku ynë influencohet nga gjenet tona, stili i jetës dhe shëndeti. Prova më e mirë sugjeron se shëndeti i mirë i zemrës është mënyra më e mirë për ta mbajtur trurin të shëndetshëm, kështu kur lojtarët luajnë qetë, një mbledhje me miq është ende një mënyrë e mirë për të qëndruar mendërisht dhe fizikisht aktivë”, është shprehur ajo./Zëri