Kosova nis misionin për Botëror

Kosova nis misionin për Botëror

Sport February 20, 2020 - 09:24

Përzgjedhësi grek i Kosovës Christos Marmarinos, edhe pse ka vetëm pak ditë që mori drejtimin e Kosovës, ka dhënë fjalë të mëdha për ndeshjen e sotme ndaj Islandës, derisa ka thënë se ai dhe gjithë lojtarët janë krenarë që mbrojnë ngjyrat e Kosovës

Ejup Llumnica

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll është gati për ndeshjen e madhe, që e zhvillon sot kundër Islandës në kuadër të eliminatoreve parakualifikuese për Kampionatin Botëror 2023. Përzgjedhësi i Kosovës Christos Marmarinos, drejtori sportiv i Përfaqësueses Granit Rugova dhe kapiteni i Kosovës Dardan Berisha janë parë shumë optimistë para kësaj sfide, e cila luhet sonte, nga ora 19:00, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, shkruan sot gazeta “Zëri”. Kosova po synon që këto eliminatore t’i nisë me fitore, e cila sigurisht që do të ndikonte pozitivisht në ndeshjet e radhës. Përzgjedhësi grek Marmarinos, edhe pse ka vetëm pak ditë që mori drejtimin e Kosovës, ka dhënë fjalë të mëdha për këtë sfidë, derisa Rugova e Berisha po besojnë se organizimi i ndeshjes do të jetë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Marmarinos: E dimë peshën e ndeshjes, jemi krenarë që përfaqësojmë këtë vend

Përzgjedhësi i Kosovës, trajneri grek Christos Marmarinos, ka thënë se është krenar që është pjesë e kësaj skuadre dhe që do t’i prijë Kosovës në ndeshjet e radhës. Sipas tij, në këto ditët e fundit është bërë një punë e madhe dhe ai beson se Kosova është gati për të startuar në këto eliminatore, shkruan Zëri.info.

“Jemi krenarë që përfaqësojmë Kosovën. Unë jam shumë i kënaqur me mënyrën sesi ushtruan djemtë, ata dhanë gjithçka dhe kjo është ajo që duam. Ne duam të kemi nivelin më të mirë të mundshëm të performancës.

Të gjithë ne jemi shumë krenarë dhe po e them këtë si një person që erdhi i fundit në ekip dhe jam i sigurt që flas në emër të të gjithëve, të cilët janë anëtarë të ekipit. Jemi shumë krenarë që përfaqësojmë Kosovën në këto ndeshje dhe kërkoj të besojmë në këtë energji pozitive. Shpresojmë në një rezultat të mirë, që do të na japë forcë për të vazhduar rrugëtimin tonë”, ka thënë Marmarinos.

Image

Dardan Berisha, thirrje “Dardanëve” për mbështetje

Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës Dardan Berisha, ka thënë se ekipi është shumë i motivuar dhe po besojnë se me një përkrahje nga tifozët do të arrijnë të triumfojnë. “Pas ndeshjeve të Kupës ne nuk kishim kohë për pushim dhe menjëherë i jemi bashkuar Kosovës.

Është një periudhë e shkurtër qëkur punojmë me trajnerin e ri, por besoj se mund ta nxjerrim më të mirën”, ka thënë Berisha në konferencën për shtyp të mbajtur dje, derisa ka bërë thirrje për një mbështetje të madhe.

“Motivi ynë është shumë i madh për t’u paraqitur sa më mirë dhe më në fund ta fitojmë një kundërshtar shumë të fortë. Shpresoj të mbushet salla dhe të kemi një mbështetje të madhe të ‘Dardanët’, të cilët sigurt do të jenë aty për të na dhënë motivin për të fituar një ndeshje shumë me rëndësi për neve.

Këto tri ditë kemi ushtruar shumë mirë. Krejt çka kemi mundur të bëjmë me trajnerin dhe me këta lojtarët që kanë ardhur po besoj që e kemi bërë maksimalisht sa kemi potencial, por më e rëndësishmja është nesër ta japim energjinë, të cilën e kemi dhënë edhe në ushtrime dhe të nxjerrim një rezultat pozitiv”, u shpreh Berisha.

Image

Rugova: Gjithçka gati

Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Granit Rugova, në aspektin organizativ ka thënë se gjithçka është gati dhe se pret një ndeshje të fortë. “Sa i përket lojës këtu më shumë do të flasin trajneri i ri Marmarinos dhe kapiteni i vjetër Dardan Berisha. Në aspektin organizativ është bërë një punë e madhe dhe besojmë se gjithçka do të kalojë sipas parashikimeve.

Lojtarët janë shumë optimistë, shumë të përgatitur për këtë ndeshje dhe besoj që do t’ia dalim me ndihmën e Dardanëve që edhe këtë ndeshje ta fitojmë”, tha Rugova, i cili ka njoftuar se trajneri ri në pas këtyre ndeshjeve eliminatore do të jetë shumë më shumë i angazhuar.

“Koha ka qenë e shkurtër dhe trajneri i ri nuk ka mundur të marrë njohuri sa u përket lojtarëve të rinj, por sigurisht që ai në atë ardhmen do të jetë shumë më shumë kohë me ne dhe do të punojë në nxjerrjen e lojtarëve të rinj, që mund të jenë pjesë e ekipit”, ka përfunduar Granit Rugova.

Ndeshjen mund ta ndiqni në platformen Artmotion. /Zëri.info

Image