Një vit pas vdekjes tragjike të 10 lojtarëve të Flamengos, familjet ende kërkojnë drejtësi

Një vit pas vdekjes tragjike të 10 lojtarëve të Flamengos, familjet ende kërkojnë drejtësi

Sport February 25, 2020 - 16:56
Lajmet e fundit nga sporti

10 lojtarë të rinj ndërruan jetë tragjikisht në konviktin e qendrës stërvitore të Flamengos vitin e kaluar. Një zjarr i madh kishte përfshirë konviktin, në të cilin gjetën vdekjen 10 futbollistë. Klubi ende nuk ka arritur marrëveshje për kompensim me familjet e tyre, shkruan sot, gazeta "Zëri". 

Simone Souza qëndroi jashtë qendrës stërvitore të Flamengos, duke shpresuar se do ta lejojnë të hyjë. Ajo thjesht donte të shkonte te parkingu, të që ndizte një qiri dhe të thoshte një lutje. Para një viti, në natën e 8 shkurtit të 2019-s, nipi i saj 15-vjeçar, Jorge Eduardo, dhe nëntë shokë të tij ishin djegur për vdekje mu në atë vend kur zjarri shpërtheu në konviktin e klubit, i cili shërbente për t’i strehuar lojtarët e rinj të skuadrës.

Në ditën e përvjetorit lojtarët dhe stafi i Flamengos nderoi djemtë e vdekur në qendrën stërvitore. Simone donte të bënte të njëjtën gjë, por kërkesa e saj ishte refuzuar. Sigurimi e ndaloi atë dhe të afërmit e një viktime tjetër duke i detyruar të gjunjëzohen dhe të bëjnë lutje në një cep të rrugës. Ky vendim i pandjeshëm – poshtërues ishte fjala që përdori Souza – është përballur me kritika të shumta në Brazil. Kjo gjithashtu ka treguar përmbledhjen e qartë se si Flamengo është marrë me këtë tragjedi të tmerrshme.

Ka kaluar më shumë se një vit prejse zjarri mori jetët dhe ëndrrat e djemve: Christian Esmerio, Jorge Eduardo, Athila Paixao, Rykelmo Vianna, Arthur Vinicius de Barros Silva Freitas, Bernardo Pisetta, Samuel Thomas Rosa, Pablo Henrique, Vitor Isaias dhe Gedson Santos – 10 lojtarë të rinj të skuadrës të moshave 14-16 vjeç. Vetëm tre prej familjeve të tyre kanë arritur marrëveshje përfundimtare për kompensim me Flamengon dhe askush nuk është mbajtur përgjegjës për zjarrin.

Ndërkohë klubi ka përjetuar një sukses të paprecedent, duke fituar titullin brazilian dhe Copa Libertadores, duke luajtur me Liverpoolin në finale të Kupës së Botës për Klube dhe duke arritur rezultatin më të mirë financiar në histori.

Siguria e konviktit ishte e dobët

Klubi ishte paralajmëruar për sigurinë e konviktit. Djemtë ishin duke fjetur në kontejnerë transporti, që ishin bërë së bashku me dritare të mbyllura dhe vetëm një dalje. Kjo pjesë kishte pasur leje vetëm për t’u përdorur si parking dhe për shkak të akomodimit klubi kishte marrë 31 gjoba nga komuna e Rio de Zhanjeros. Zjarri filloi kur një kondicioner bëri një qark të shkurtër dhe u shpërnda përmes sfungjerëve izolues të përdorur në ndërtim, duke vrarë 19 prej 26 djemve brenda. “Ne vetëm gjetëm trupa brenda. Vendi ishte përfshirë tërësisht nga zjarri”, kishte thënë një zjarrfikës.

Prokurorët e Rio de Zhanjeros sugjeruan një marrëveshje jashtë gjykatës për një pagesë prej rreth 421,000 eurove për secilën familje, plus një pagë mujore prej 2100 eurosh deri në ditën kur djemtë e tyre do të kishin mbushur 45 vjeç. Pagesat nuk do të kishin lënë gjurmë në financat e klubit. Flamengo arkëtoi rreth 182 milionë euro më 2019-s, përfitimi më i lartë në histori të futbollit brazilian brenda një viti. Në 18 muajt e fundit ata kanë shpenzuar mbi 43 milionë euro vetëm për transferime. Por në vend të pagesave presidenti i klubit, Rodolfo Landim, dhe drejtorët e tij vendosën që jeta e djemve të nënvlerësohet. Ata u ofruan familjeve 85.000 euro dhe një pagë minimale mujore prej 210 eurosh për 10 vjet, që u refuzua menjëherë. Tre prej familjeve kanë arritur marrëveshje me klubin, me një gjobë prej 105.000 eurosh nëse thyhet konfidencialiteti i marrëveshjes, por shtatë të tjerë nuk janë përfshirë dhe janë në beteja ligjore të dhimbshme. Në dhjetor një gjykatë në Rio urdhëroi Flamengon t’u paguajë shtatë familjeve 2100 euro për muaj derisa të zgjidhet çështja. Klubi është duke e përmbushur këtë detyrim, por fakti se ata e apeluan menjëherë vendimin tregon mosdëshirën e tyre për ta bërë një gjë të tillë.

Presidenti i klubit u ikën intervistave për rastin

Gjatë kohës pas zjarrit Landim tha se ishte pa dyshim tragjedia më e keqe, të cilën e kishte përjetuar klubi dhe se gjëja më e rëndësishme ishte që të minimizohen dhimbjet dhe vuajtjet e familjeve. Por ai ka bërë më të mirën e tij për t’u shmangur intervistave në vitin e kaluar dhe nuk u shfaq në një seancë dëgjimore më herët gjatë këtij muaji si pjesë e hetimeve për zjarrin. Sidoqoftë, ai gjeti kohë për të kritikuar Simone Souzan dhe familjarët e tjerë të viktimave që shkuan në qendrën stërvitore për përvjetorin e zjarrit. “Pse shkuan ata atje pa paralajmërim?”, pyeti ai me një ton të lartë para se të akuzonte familjet se po kërkonin vëmendjen e medieve. Derisa pjesëtarët e familjeve luteshin në një anë të rrugës, Landim ishte në një mbledhje të organizuar nga klubi. Familjet nuk ishin ftuar.

Ditën tjetër Flamengo fitoi 2:0 ndaj Madureiras në “Maracana” në një ndeshje, që u shënua me nderimin e viktimave dhe protestat e tifozëve për mënyrën se si drejtorët e klubit janë marrë me tragjedinë. Pas ndeshjes Landim ishte intervistuar në televizion për zvarritjen mbi kompensimin dhe tha se “Flamengo nuk mund të pranojë asnjë propozim absurd që është bërë nga familjet”.

Flamengo, që e konsideron veten si klub të njerëzve dhe ka bazën më të madhe të tifozëve në Brazil, është dënuar e është kritikuar gjerësisht. Duke shkruar për “UOL Esporte”, gazetari i futbollit Pedro Ivo Almeida akuzoi klubin se i ka trajtuar familjet si armiq. Carlos Eduardo Mansur përdori një ton të ngjashëm në gazetën “O Globo”, duke shkruar: “Flamengo duhet tashmë t’i zgjidhë dyshimet mbi kompensimet ose të bëjë një përpjekje më të madhe për ta larguar ndjesinë se ata janë duke dëshiruar një marrëveshje të vogël. Por nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Është për të sinjalizuar – për miliona njerëz që ushqehen me ëndrrat që shet Flamengo – se ju nuk negocioni për një jetë, që është e mundshme t’i ofrohet shoqërisë prekshmëri dhe një sjellje përtej të zakonshmes”.

Kur klubi shënoi përvjetorin e tragjedisë në rrjetin social “Twitter”, një tifoz bëri thirrje që t’i trajtojnë familjet me më shumë humanizëm, dinjitet, përkushtim dhe mikpritje. Një tjetër shkroi: “Ne duam drejtësi”.

Tash për tash lufta e familjeve për drejtësi vazhdon./Zëri