Altin Merlaku fiton sërish çmimin “Ylli i Javës” në Superligë

Altin Merlaku fiton sërish çmimin “Ylli i Javës” në Superligë

Sport May 16, 2022 - 10:57
Lajmet e fundit nga Sporti

Federata e Futbollit e Kosovës së bashku me sponsorin e Superligës - Bankën Kombëtare Tregtare @bkt_kosova, vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”.

Epiteti “Ylli i Javës” në xhiron e 35-të në BKT Superligë i ka takuar futbollistit të KF Dukagjinit (Klinë), Altin Merlaku. Kapiteni i Dukagjinit pati një tjetër paraqitje të shkëlqyeshme në këtë edicion, duke qenë më i merituari për fitoren kundër Llapit, me rezultat 3:2.

Altin Merlaku realizoi "Hat-Trick" në këtë takim, duke ia siguruar tri pikë shumë të vlefshme skuadrës së Armend Dallkut në luftën për t'i ikur barazhit.

Merlaku shënoi në minutat 25, 52 dhe 56, derisa u shqua me lojë kreative gjatë tërë ndeshjes. Kjo është hera e dytë në këtë edicion që Merlaku e fiton këtë çmim, pasi edhe në javën e 30-të ishte shpallur më i miri.

Një javë para përfundimit të kampionatit, Dukagjini ndodhet në pozitën e 5-të me 49 pikë, dy më shumë se Malisheva, e cila ndodhet në pozitën e tetë, që dërgon në barazh.

Çmimin “Ylli i Javës” për futbollistin e KF Dukagjinit e dorëzoi Sibell Horosani, menaxhere e Departamentit të Bankingut Privat në BKT. /Zeri.info