A ishte kjo lamtumirë? Reagimi i Salahut pas fitores së Liverpoolit trondit tifozët
Sulmuesi Mohamed Salah u përfshi nga emocionet pas fitores 2-0 të Liverpoolit ndaj Brightonit në Ligën Premier, në një mbrëmje që nuk kaloi pa u vënë re nga tifozët në “Anfield”.
Sulmuesi egjiptian iu afrua tribunës legjendare “The Kop”, ku pati një moment shumë të veçantë me tifozët. Teksa ata këndonin këngën e tij, Salah shihej duke përshëndetur me dorë, duke duartrokitur dhe duke falënderuar publikun për mbështetjen, në një skenë që përcolli shumë ndjeshmëri.
Pamjet pas ndeshjes treguan një Salah dukshëm emocional, i cili ishte gjithashtu lojtari i fundit i Liverpoolit që u largua nga fusha, duke qëndruar edhe për disa çaste të tjera për të shijuar atmosferën dhe për të komunikuar me tifozët.
Ky reagim ka nxitur spekulime të shumta mes tifozëve dhe mediave, të cilët e kanë interpretuar sjelljen e tij si një lloj “lamtumire” të mundshme.
Salah pritet të largohet së shpejti për t’iu bashkuar Kombëtares së Egjiptit në Kupën e Afrikës, por disa e shohin këtë moment si diçka më shumë sesa një ndarje e përkohshme.
Për momentin, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për të ardhmen e tij, por emocionet e shfaqura në “Anfield” kanë shtuar dyshimet se kjo mund të ketë qenë një mbrëmje simbolike për një nga figurat më të mëdha të historisë së fundit të Liverpoolit.