Fullkrug bie pre e hajdutëve, i vidhen bizhuteri në vlerë të madhe
Përshtatja e Niclas Fullkrug në Milano nuk ka shkuar për mrekulli.
Futbollisti, ende në kërkim të një shtëpie, është vjedhur në dhomën e hotelit në zonën Fiera ku po qëndronte.
Vetëm paraditen e 17 janarit, sulmuesi “Kuq e Zi”, vuri re zhdukjen e disa sendeve me vlerë të marra nga kasaforta, për një vlerë totale rreth 500 mijë euro: bëhet fjalë kryesisht për bizhuteri luksoze.
Një ose më shumë persona janë futur në dhomën e tij mes të mërkurës dhe të enjtes, kur ai ndodhej jashtë për ndeshjen në Como, dhe kanë thyer kasafortën.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë agjentët e policisë dhe të Kriminalistikës së Prefekturës së Milanos.
Hetimet janë në vijim. Pasditen e djeshme është bërë edhe denoncimi nga ana e një drejtuesi shoqërues të Milanit, i deleguar nga sulmuesi gjerman i ardhur në huazim nga West Ham.
Gjermani ndaj Lecces sonte do të jetë në stol, pasi ende vuan nga një dëmtim në gishtin e këmbës.
Një periudhë aspak me fat për të. Të paktën sulmuesi gjerman mund të ngushëllohet me lavdërimet e trajnerit të tij Max Allegri, i cili e ka komplimentuar për shpirtin e sakrificës:
“Erdhi me gati gjysmë gishti të thyer, deshi të vinte patjetër dhe u vu në dispozicion. Lojtarë të tillë i tërheqin edhe të tjerët.”