Van Dijk thërret mbledhje urgjente te Liverpooli pas barazimit zhgënjyes në Anfield

Van Dijk thërret mbledhje urgjente te Liverpooli pas barazimit zhgënjyes në Anfield

Sport January 18, 2026 - 14:39

Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, pritet të mbajë një tjetër mbledhje me lojtarët të hënën, në përpjekje për të ndalur rënien e skuadrës dhe për të mbajtur gjallë synimin për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Barazimi 1-1 ndaj Burnleyt në Anfield ka rritur tensionet, sidomos pas mënyrës se si “The Reds” lejuan barazimin në një ndeshje që e dominuan thuajse plotësisht.

Holandezi ishte dukshëm i zemëruar pas ndeshjes, duke kritikuar pakujdesinë e skuadrës në pjesën e dytë. Ai u largua shpejt nga dhomat e zhveshjes për të folur me mediat, një reagim i rrallë për të, ndërsa Liverpooli regjistroi katër barazime radhazi në kampionat për herë të parë që nga viti 2008.

“Pas 60 minutash u bëmë të pakujdesshëm dhe nuk është hera e parë që ndodh. Kjo duhet adresuar sërish,” u shpreh Van Dijk, duke theksuar se mbledhja e së hënës do të jetë vendimtare, sidomos para përballjes së vështirë në Champions League ndaj Marseille, të drejtuar nga Roberto De Zerbi.

Rezultati solli edhe reagime negative nga tifozët në Anfield, çka nuk i pëlqeu aspak kapitenit. “Nuk më pëlqejnë fishkëllimat nga tifozët tanë,” deklaroi ai shkurt.

Liverpooli mbetet në vendin e katërt, vetëm një pikë mbi ndjekësit, pasi humbi mundësinë për t’iu afruar Manchester Cityt. Pavarësisht 32 goditjeve në portë dhe një penalltie të humbur nga Dominik Szoboszlai, skuadra nuk arriti të shënojë golin e dytë dhe u ndëshkua nga goli i vetëm në portë i Burnleyt në minutën e 65-të.

Një lajm pozitiv për Liverpoolin është rikthimi i pritshëm i Mohamed Salah javën e ardhshme. Van Dijk theksoi rëndësinë e egjiptianit për ekipin, pavarësisht polemikave të fundit dhe eliminimit të tij nga AFCON.

“Mo është shumë i rëndësishëm për ne, në fushë dhe jashtë saj. Kur të kthehet, do të na ndihmojë,” përfundoi kapiteni i Liverpoolit.