U shkarkua nga Liverpooli, ja sa para do t’i fitojë si dëmshpërblim Arne Sloti

U shkarkua nga Liverpooli, ja sa para do t’i fitojë si dëmshpërblim Arne Sloti

Sport May 30, 2026 - 17:57

Arne Sloti raportohet se do të marrë një dëmshpërblim të konsiderueshëm nga Liverpooli pas shkarkimit të tij si trajner.

Klubi i Liverpoolit njoftoi të shtunën pasdite se është ndarë me Slotin pas përfundimit të sezonit të tij të dytë në drejtimin e skuadrës në “Anfield”.

Trajneri holandez fitoi titullin e Premierligës në sezonin e tij të parë dhe u shpall edhe “Trajneri i Sezonit”.

Megjithatë, Liverpooli përfundoi vetëm në vendin e pestë këtë sezon, duke grumbulluar 24 pikë më pak krahasuar me sezonin kur fituan titullin.

Edhe pse Sloti u përball me një seri dëmtimesh te lojtarët kyç, ka pasur shqetësime për stilin e lojës së ekipit dhe kritika të përsëritura nga ylli Mohamed Salahu, i cili do të largohet nga klubi këtë verë me marrëveshje të përbashkët.

Ish-trajneri i Bournemouthit, Andoni Iraola, pritet të marrë drejtimin e Liverpoolit.

Pronarët e klubit theksuan se ishte një “vendim i vështirë” për t’u ndarë me Slotin, por shtuan se kishin arritur në përfundimin se “ndryshimi është i nevojshëm që klubi të ecë përpara”.

Ata shtuan gjithashtu se Sloti “do të mbajë gjithmonë një vend të veçantë në historinë e klubit si trajneri që solli titullin e 20-të kampion”.

Sloti kishte nënshkruar një kontratë trevjeçare në verën e vitit 2024, që do të thotë se i kishte mbetur edhe një vit kontratë në momentin e shkarkimit.

Sipas raportimeve nga media holandeze “FootballTransfers”, Liverpooli pritet të paguajë rreth 9.5 milionë paund si kompensim për shkarkimin e tij.

Kjo shumë është më e ulët krahasuar me rastin e Ruben Amorimit, pas shkarkimit të tij nga Manchester United, ku klubi anglez kishte paguar rreth 16.6 milionë paund si pjesë e “shpenzimeve të jashtëzakonshme”.

Ende nuk është e qartë mënyra e pagesës së kompensimit dhe nëse Sloti do të vazhdojë të marrë pagë javore apo një pagesë të vetme.

Në të njëjtën kohë, raportimet tregojnë se tregu i trajnerëve elitarë është i kufizuar, me disa klube që tashmë kanë lëvizur për emra të tjerë.

Oliver Glasner është lidhur me Milanin, ndërsa Massimiliano Allegri raportohet se ka arritur marrëveshje me Napolin.

Ndërkohë, një tjetër opsion potencial është Bayer Leverkuseni, i cili më parë kishte zhvilluar bisedime me Iraolën.

Sipas “The Athletic”, Iraola mbetet “favoriti i qartë” për të marrë drejtimin e Liverpoolit, dhe nuk pritet të ketë pengesa të mëdha për emërimin e tij, pasi ai tashmë ka konfirmuar largimin nga Bournemouthi. /express