Gjarpërinjtë helmues shqetësojnë kampin e Norvegjisë në Kupën e Botës

Gjarpërinjtë helmues shqetësojnë kampin e Norvegjisë në Kupën e Botës

Sport June 05, 2026 - 15:38

Erling Haaland, Martin Odegaard dhe pjesa tjetër e kombëtares së Norvegjisë janë paralajmëruar të kenë kujdes nga gjarpërinjtë e rrezikshëm gjatë kohës së lirë që kalojnë duke luajtur golf pranë resortit ku janë akomoduar gjatë Botërorit në Greensboro.

Shumë prej lojtarëve norvegjezë kanë shprehur dëshirën që të relaksohen mes stërvitjeve dhe ndeshjeve duke luajtur golf. Megjithatë, ata janë këshilluar të tregojnë kujdes nëse topi përfundon jashtë fushës, në zonat me bar të lartë.

Faqja zyrtare e qytetit të Greensboro paralajmëron për praninë e gjarprit Copperhead, një specie helmuese që gjendet shpesh në lindje dhe juglindje të Shteteve të Bashkuara dhe është mjaft e përhapur në këtë zonë.

“Nuk duhet ta provokoni, ta kapni apo ta shqetësoni në asnjë mënyrë. Gjëja më e mirë është ta lini të qetë”, thuhet në paralajmërim.

Mesfushori norvegjez Kristian Thorstvedt pranoi se lajmi nuk i pëlqeu aspak.

“Nuk isha i lumtur kur e dëgjova këtë”, tha ai, duke shtuar se do të vazhdojë të luajë golf, por me më shumë kujdes.

Biologia Falyn Owens nga Komisioni i Faunës së Egër të Karolinës së Veriut sqaroi se gjarpërinjtë Copperhead nuk janë agresivë, por mund të sulmojnë në vetëmbrojtje nëse shkelen ose ndihen të rrezikuar.

Ajo u bëri thirrje futbollistëve norvegjezë të jenë veçanërisht të kujdesshëm kur kërkojnë topat në barin e lartë, ku gjarpërinjtë janë më të vështirë për t’u dalluar.

“Nëse ecni nëpër zona me bimësi, kushtojini vëmendje vendit ku shkelni dhe mbani distancë nga çdo gjarpër që mund të shihni”, tha Owens.

Sipas saj, në Karolinën e Veriut jetojnë rreth 40 lloje gjarpërinjsh, por shumica dërrmuese nuk janë helmues. Në zonën e Greensboro-s, Copperhead është i vetmi gjarpër helmues që gjendet rregullisht.