Tensione politike dhe incidente sigurie në ndeshjen Iran – Belgjikë në Botërorin 2026

Tensione politike dhe incidente sigurie në ndeshjen Iran – Belgjikë në Botërorin 2026

Sport June 22, 2026 - 12:55

Irani hodhi një tjetër hap drejt kualifikimit në fazën e ardhshme të Kupës së Botës 2026, pasi barazoi pa gola (0:0) ndaj Belgjikës në Los Anxhelos.

Megjithatë, ashtu si në ndeshjet e mëparshme të turneut, vëmendja nuk u përqendrua vetëm te futbolli, pasi takimi u shoqërua nga tensione politike dhe incidente sigurie.

Pas përfundimit të ndeshjes, të paktën një person u arrestua pasi tentoi të hynte në fushë i veshur me një fanellë që mbante simbolikën e flamurit iranian të periudhës para Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Po ashtu, jashtë stadiumit u raportua edhe një përplasje mes një tifozi dhe protestuesve, ndërsa një person u transportua me autoambulancë.

Tensionet nisën që përpara fillimit të sfidës. Zyrtari amerikan i sigurisë së brendshme, Markwayne Mullin, deklaroi se autoritetet kishin penguar hyrjen në SHBA të një personi me lidhje të drejtpërdrejta me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).

Federata Iraniane e Futbollit reagoi menjëherë, duke i cilësuar këto pretendime si “plotësisht të pavërteta”

“Pretendimi se një përfaqësues zyrtar i Federatës Iraniane të Futbollit tentoi të hynte në Shtetet e Bashkuara dhe u ndalua nga autoritetet është një gënjeshtër e hapur dhe e padiskutueshme”, thuhej në deklaratën e federatës.

Mullin deklaroi për Fox News se shumica e kombëtareve udhëtojnë me rreth 120 persona, ndërsa Iranit iu miratua një delegacion prej vetëm 53 anëtarësh. Sipas tij, pjesa tjetër e personave për të cilët ishte kërkuar vizë kishin lidhje me IRGC-në dhe nuk bënin pjesë në delegacionin e zakonshëm sportiv.

Federata iraniane kundërshtoi këto akuza, duke theksuar se ato nuk mbështeten në asnjë provë dhe përbëjnë një përpjekje për të justifikuar trajtimin diskriminues ndaj përfaqësueses së Iranit.

Gjatë gjithë turneut, Irani është ankuar vazhdimisht për ndërhyrjen e çështjeve politike në pjesëmarrjen e tij sportive.

Futbollistët dhe stafi teknik kishin shprehur më herët pakënaqësi për ndryshimet në organizimin e udhëtimeve, si dhe për ndalimin e hyrjes së disa zyrtarëve dhe anëtarëve të stafit në Shtetet e Bashkuara.

Federata ka paralajmëruar se do të paraqesë një ankesë zyrtare pranë FIFA-s.

Mesfushori Alireza Jahanbakhsh deklaroi se skuadra dëshiron të fokusohet te futbolli dhe te ndeshja e radhës kundër Egjiptit në Seattle.

“Nuk po kërkojmë asgjë më shumë. Kërkojmë vetëm të trajtohemi njësoj si të gjitha 47 kombëtaret e tjera”, u shpreh ai.

Ndërkohë, jashtë stadiumit në Los Anxhelos, qindra protestues u mblodhën për të demonstruar kundër regjimit iranian.

Brenda impiantit sportiv u panë si flamujt zyrtarë të Iranit, ashtu edhe flamujt historikë me luanin dhe diellin, simbole të përdorura para revolucionit të vitit 1979, ndërsa në tribuna nuk munguan as tifozët belgë. /Telegrafi