De la Fuente paralajmëron Belgjikën: Më e mira e Yamalit ende nuk ka ardhur
Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka vlerësuar paraqitjet e Lamine Yamalit në Kupën e Botës 2026, duke thënë se talenti i Barcelonës ende nuk e ka treguar versionin e tij më të mirë.
Në prag të çerekfinales kundër Belgjikës, De la Fuente foli për ndikimin e madh që 19-vjeçari mund të ketë në ndeshje dhe për mënyrën sesi duhet menaxhuar presioni mbi të.
“Nëse e shikoni motivimin e Lamine, ai është shumë i rrezikshëm për kundërshtarët, por duhet ta qetësojmë që të mos shndërrohet në ankth”, deklaroi De la Fuente.
Trajneri spanjoll beson se Yamali ka ende shumë hapësirë për përmirësim dhe se paraqitjet më të mira të tij janë ende përpara.
“Më e mira ende nuk ka ardhur, sepse ai ende nuk e ka arritur nivelin e shkëlqimit që presim. Në ndeshjen e fundit ai duhej të punonte shumë në mbrojtje derisa u lodh dhe u desh të zëvendësohej. Ai tregoi pjekuri të madhe dhe ne po presim edhe versionin e tij më të mirë në sulm”, shtoi ai.
Lamine Yamal pati një paraqitje të rëndësishme në fitoren e Spanjës ndaj Portugalisë, ku tregoi edhe një herë talentin e tij në skenën më të madhe të futbollit.
De la Fuente foli edhe për Pedrin, duke pranuar se mesfushori nuk pati një nga ndeshjet e tij më spektakolare, por theksoi rëndësinë e punës së tij për ekipin.
“E shoh Pedrin duke luajtur shumë mirë. Ai gjithmonë luan në një nivel shumë të lartë për ne. Sigurisht që nuk ishte një paraqitje e shkëlqyer, por ishte shumë praktike dhe lojtarët që hynë në fushë përfituan nga puna e tij”, u shpreh trajneri i Spanjës.
Spanja tashmë përgatitet për përballjen me Belgjikën, ku synon të sigurojë një vend në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2026.