Remzi Ejupi kritikëve të Zhegrovës: Është mëkat që të ulet dhe të nënvlerësohet një diamant si Edoni
Remzi Ejupi i ka reaguar ish-futbollistit Altin Lala në lidhje me futbollistin Edon Zhegrova.
Lala së fundmi kishte dhënë disa deklarata rënduese në drejtim te Zhegrovës, teksa tani Ejupi i ka reaguar duke u shprehur se është mëkat që të ulet dhe të nënvlerësohet një diamant si Edoni, i cili nuk e përfaqëson veç Kosovën, por krejt shqiptarinë.
Posstimi i plotë:
Disa fjalë për Edon Zhegrovën, dhe ata që e sulmojnë!
Më ranë në sy së fundmi deklaratat rënduese të ish-futbollistit shqiptar dhe menaxherit Altin Lala, në drejtim të Edon Zhegrovës.
Ta them të drejtën, mbeta i habitur nga ato që i dëgjova, pasi, përkundrazi, prisja që Lala ta lartësonte figurën e Zhegrovës.
Një djalosh i artë, të cilin e kam përcjellë që nga koha kur ishte fëmijë, e kur të dy ishim pjesë e FC Prishtinës.
Talenti i tij i jashtëzakonshëm ishte vërejtur edhe nga trajnerët e Milanit në kampin e mbajtur në Kosovë.
Edoni ishte ndryshe nga të tjerët, kishte diçka më shumë se të tjerët. Dhe, bashkë me bashkëpunëtorët e mi, ia mundësuam daljen në Evropë, ndonëse ne ishim ende në izolim total dhe pa shpresa.
Zhegrova është padyshim futbollisti më i talentuar që ka dalë në Evropë nga futbolli i përlloçur i Kosovës.
Edhe Cristiano Ronaldo, edhe David Beckham, edhe tash Lamine Yamal, i kushtuan/kushtojnë rëndësi "look"-ut dhe veturave të shtrenjta, por kjo s'ka qenë kurrë pengesë për ta që t'i kapin majat e futbollit botëror.
Edoni është djal punëtor, i ndershëm dhe modest, e nëse është pak "i llastuar", është në kuptimin më pozitiv të fjalës, sepse i ka hije të jetë i tillë.
Ai ka arritur deri këtu me mund e me shumë sakrifica, është një pasuri kombëtare.
Prandaj, është mëkat që të ulet dhe të nënvlerësohet një diamant si Edoni, i cili nuk e përfaqëson veç Kosovën, por krejt shqiptarinë.
Askujt s'duhet t'i pengojë që ai e ka zgjedhur Kombëtaren Dardane dhe që iu ka besuar menaxherëve që i ka.
Zhegrova është në ngritje të madhe të karrieres së tij, pjesë e klubit të madh "Juventus". Dikush knaqet vetëm kur e sheh Juventusin në TV, ndërsa ai me 26 vitet e tij ishte dhe është pjesë përbërëse e këtij klubi të madh.
Pra, Edoni ka edhe shumë e shumë për t'i dhënë futbollit.
Talentin e ka me të lindur, e angazhimi dhe përkushtimi s'po i mungojnë asesi.
Përpara Edon!