Sezon i ri, trajner i ri - a do të jetë Alexander-Arnold figurë kyçe te Real Madridi?

Sezon i ri, trajner i ri - a do të jetë Alexander-Arnold figurë kyçe te Real Madridi?

Sport August 09, 2026 - 13:39

Më shumë se 14 muaj pas largimit nga Liverpooli drejt Real Madridit, Trent Alexander-Arnold është gati të nisë sezonin e tij të dytë në kryeqytetin spanjoll, këtë herë nën drejtimin e Jose Mourinhos.

Mbrojtësi 27-vjeçar u transferua te “Los Blancos” me pritshmëri të mëdha. Në momentin e firmosjes së tij, drejtuesit e Real Madridit e konsideronin anglezin si një prej mbrojtësve më të kompletuar dhe më të gjithanshëm në botë, veçanërisht për aftësinë e tij për të ndikuar në lojë me pasime të sakta, krosime, goditje standarde dhe eksperiencë në ndeshjet me presion të lartë.

Megjithatë, sezoni i parë në Madrid nuk shkoi sipas parashikimeve. Dëmtimet, ndryshimet e shpeshta në stol dhe vështirësitë e përshtatjes me një kampionat dhe ambient të ri ndikuan në paraqitjet e tij. Si pasojë, Alexander-Arnold humbi edhe vendin në planet e Anglisë për Botërorin.

Tani, pas disa sinjaleve pozitive në fazën përgatitore, anglezi shpreson që sezoni i ri të jetë ai në të cilin më në fund do të vendosë vulën e tij në Santiago Bernabeu.

Real Madridi pagoi rreth 10 milionë euro për ta afruar Alexander-Arnold nga Liverpooli, duke e bërë transferimin zyrtar më 1 qershor 2025, një muaj përpara përfundimit të kontratës së tij.

Dy dëmtime të ndryshme e penguan ndjeshëm. Një problem në muskujt e pasmë të kofshës në shtator e la jashtë për shtatë javë, ndërsa një dëmtim në kofshë në dhjetor e detyroi të mungonte edhe për rreth dy muaj.

Këto probleme e privuan nga vazhdimësia e nevojshme për të krijuar ritëm dhe për të ndërtuar një marrëdhënie më të fortë me tifozët.

Në total, Alexander-Arnold luajti në 35 nga 62 ndeshjet e Real Madridit në të gjitha kompeticionet sezonin e kaluar, duke startuar në 27 prej tyre. Ai ndau minutat në krahun e djathtë me legjendën e klubit, Dani Carvajal.

Megjithatë, pikëpyetjet për aftësitë e tij defensive, të cilat e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës te Liverpooli, vazhduan të diskutoheshin edhe në Madrid. Në të njëjtën kohë, cilësitë e tij me topin në këmbë mbetën një nga armët më të rrezikshme të lojës së tij.

Anglezi tregoi disa momente të nivelit të tij më të lartë, por një pjesë e tifozëve të Real Madridit mendonin se ende nuk kishin parë mjaftueshëm prej tij për të vlerësuar ndikimin e tij të vërtetë.

Në fund të një sezoni zhgënjyes për Real Madridin, që nuk arriti të fitojë asnjë trofe madhor nën drejtimin e Xabi Alonsos dhe Alvaro Arbeloas, Alexander-Arnold filloi të rikthehej gradualisht në formën e tij më të mirë.

Pas përfundimit të sezonit, ai falënderoi tifozët për mbështetjen dhe u shpreh se tashmë ndihej plotësisht i integruar në Madrid.

“Madridistas, më keni pritur krahëhapur. Që nga dita e parë që mbërrita, më keni mbështetur. Më u deshën disa muaj për të gjetur ritmin dhe për t'u përshtatur me ambientin e ri, por tani ndihem plotësisht si në shtëpi”, shkroi ai.

Ndryshe nga shumica e lojtarëve të Real Madridit që morën pjesë në Botëror, Alexander-Arnold ka pasur mundësinë të zhvillojë një fazë të plotë përgatitore nën drejtimin e Jose Mourinhos, i cili u rikthye në stolin e madrilenëve në qershor, duke zëvendësuar Arbeloan.

Sipas raportimeve, trajneri portugez është impresionuar nga paraqitjet e anglezit, por edhe nga vlerat dhe shkathtësia taktike që ai mund t'i sjellë skuadrës.

Mourinho e sheh Alexander-Arnold si një mbrojtës të ndryshëm nga profili tradicional i një krahu të djathtë. Anglezi ka aftësinë të lëvizë në zonat qendrore dhe të kontribuojë në fazën sulmuese nga pozicione më të avancuara në mesfushë.

Pasimet e gjata, krosimet, topat në thellësi dhe goditjet standarde vazhdojnë të jenë ndër pikat më të forta të lojës së tij.

Vetë Alexander-Arnold ka folur pozitivisht për mundësinë e punës me Mourinhon, duke e cilësuar një privilegj bashkëpunimin me trajnerin portugez.

“Gjithmonë e kam admiruar trajnerin. Kam luajtur disa herë kundër tij dhe është kënaqësi të punosh me të dhe stafin e tij”.

“Është intensive. Parimet e tij dhe niveli i kërkesave janë shumë të larta, ndaj mezi pres të shoh se si, sa më shumë ta njohim njëri-tjetrin, aq më shumë do të mësojmë dhe ai do të na mësojë”.

“Jemi të gjithë të gatshëm dhe të etur për të mësuar e për t'u përmirësuar. Jam i sigurt se ai do të na mësojë shumë gjëra dhe do të na ndihmojë të fitojmë trofe këtë sezon”.

Konkurrenca për një vend në formacion nuk është diçka e re në Real Madrid, ku pothuajse çdo pozicion kërkon përballje me lojtarë të nivelit botëror.

Pas largimit të Dani Carvajalit, i cili përfundoi kontratën me klubin, konkurrenca për krahun e djathtë do të mbetet e fortë falë transferimit të Denzel Dumfries nga Interi.

Mbrojtësi holandez, 30 vjeç, i ofron skuadrës forcë fizike, shpejtësi, energji dhe më shumë siguri në aspektin defensiv.

Megjithatë, në miqësoren e fundit ndaj Fiorentinës, e cila përfundoi 2-2, Mourinho zgjodhi t'i aktivizojë të dy lojtarët. Alexander-Arnold luajti në krahun e djathtë, ndërsa Dumfries u pozicionua më lart në të njëjtën anë të fushës.

Anglezi mori gjithashtu përgjegjësinë për goditjet standarde dhe shpesh lëvizi në zonat e mesfushës gjatë ndërtimit të aksioneve, duke treguar fleksibilitetin taktik që Mourinho mund të kërkojë prej tij.

Konkurrenca e shtuar mund të shërbejë edhe si motivim për Alexander-Arnold që të rikthehet në nivelin që e bëri një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Liverpoolit, me të cilin fitoi Ligën Premier, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube.

Mourinho po përpiqet të ndërtojë një skuadër që mund të rikthehet te suksesi në Spanjë dhe Evropë, ndërsa Alexander-Arnold ka përpara një mundësi të artë për të dëshmuar se mund të jetë një nga figurat kryesore të këtij projekti.

Në të njëjtën kohë, një sezon i madh në Madrid mund t'i hapë atij sërish derën e kombëtares së Anglisë dhe ta rikthejë në planet e Thomas Tuchel.

Pas një sezoni debutues me shumë pengesa, tani topi është në këmbët e Alexander-Arnold.

Sezoni i dytë në Madrid mund të jetë pikërisht ai që do të përcaktojë nëse ai do të bëhet një titullar i padiskutueshëm në “Santiago Bernabeu” apo do të mbetet një lojtar me potencial të madh, por ende në kërkim të vazhdimësisë. /telegrafi