Jose Mourinho cilësohet si transferimi më i mirë i verës i Real Madridit

Jose Mourinho cilësohet si transferimi më i mirë i verës i Real Madridit

Sport August 30, 2026 - 12:54

Sipas raportimeve të Diario AS, brenda Real Madridit është krijuar një konsensus i qartë se transferimi më i rëndësishëm i klubit gjatë kësaj vere nuk është një futbollist, por trajneri Jose Mourinho.

Trajneri portugez ka arritur të heshtë skeptikët që shoqëruan rikthimin e tij në krye të “Los Blancos” në muajin prill, duke sjellë një ndryshim të madh në atmosferën brenda skuadrës.

Situata në dhomat e zhveshjes është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me sezonin e kaluar. Ish-trajneri Xabi Alonso nuk arriti të krijonte një raport funksional me drejtuesit dhe lojtarët, çka kontribuoi në krizën që përfshiu ekipin.

Më pas, Alvaro Arbeloa tentoi të stabilizonte situatën, por edhe ai hasi në rezistencë nga një pjesë e skuadrës.

Mourinho, megjithatë, ka arritur ta përmbysë këtë situatë në më pak se dy muaj. Portugezi ka ndryshuar rutinën e përditshme të ekipit dhe ka vendosur rregulla të qarta brenda grupit.

Megjithatë, Mourinho nuk ka zgjedhur një qasje të bazuar vetëm te autoriteti i fortë.

Ai ka vendosur komunikimin e drejtpërdrejtë në qendër të punës së tij, duke i bërë të qarta pritshmëritë për secilin lojtar, ndërsa futbollistëve që kishin humbur hapësirat u ka dhënë mundësinë të rifitojnë besimin.

Trajneri portugez thuhet se është jashtëzakonisht i kënaqur me mbështetjen që ka marrë nga drejtuesit e klubit.

Bordi i Real Madridit plotësoi kërkesën e tij kryesore në afatin kalimtar duke afruar Bernardo Silvan për të marrë kontrollin e mesfushës.

Mourinho zbulon gjithçka: Vendimi për afatin kalimtar, mbrojtja e Viniciusit dhe lajmi për Endrickun

Ky vendim duket se po jep menjëherë rezultatet e dëshiruara, pasi ndikimi i portugezit në lojën e skuadrës është vërejtur që në ndeshjet e para.

Real Madridi e ka nisur në mënyrë perfekte sezonin në La Liga, me dy fitore radhazi ndaj Espanyolit dhe Real Sociedadit, duke dhënë sinjale të forta se mund të jetë një pretendent serioz për titullin.

“Los Blancos” synojnë tashmë të sfidojnë Barcelonën në garën për kurorën e kampionit të Spanjës, ndërsa objektivi madhor mbetet edhe triumfi në Ligën e Kampionëve.

Nëse Mourinho vazhdon me të njëjtin ritëm, rikthimi i tij në “Santiago Bernabeu” mund të rezultojë shumë më i suksesshëm nga sa parashikohej në momentin e emërimit.