Neymari i dërgon mesazh Gabriel Jesusit pas transferimit te Barcelona

Neymari i dërgon mesazh Gabriel Jesusit pas transferimit te Barcelona

Sport September 02, 2026 - 22:31

Neymar ka reaguar pas transferimit zyrtar të Gabriel Jesusit te Barcelona, duke i dërguar një mesazh të shkurtër bashkëkombësit të tij brazilian.

Ylli i Santosit publikoi në Instagram një fotografi të Jesusit menjëherë pasi u konfirmua kalimi i tij nga Arsenali te klubi katalanas.

“Paç fat, djalosh”, ishte mesazhi i shkurtër i Neymarit.

Dy futbollistët njihen prej vitesh, pasi kanë luajtur së bashku për kombëtaren e Brazilit, ndërsa Neymar e di mirë se çfarë e pret Jesusin në Katalonjë.

Neymar kaloi katër sezone te Barcelona, ku fitoi edhe Ligën e Kampionëve në vitin 2015, përpara se në vitin 2017 të transferohej te Paris Saint-Germain për shumën rekord prej 222 milionë eurosh.

Jesus merr fanellën me numrin 9

Gabriel Jesus ka nënshkruar kontratë me Barcelonën deri në qershor të vitit 2029 dhe do të mbajë fanellën me numrin 9.

Barcelona kishte shqyrtuar disa alternativa për repartin ofensiv, me Julian Alvarez si një nga objektivat kryesorë, ndërsa në listë ishin përmendur edhe Harry Kane, Lautaro Martinez dhe Joao Pedro.

Në fund, klubi katalanas vendosi të transferojë sulmuesin brazilian 29-vjeçar.

Synon ta ringjallë karrierën pas një sezoni të vështirë

Jesus mbërrin në Barcelonë pas një sezoni të komplikuar, të ndikuar ndjeshëm nga problemet fizike.

Ai pësoi një dëmtim serioz në gju dhe, pas rikthimit në dhjetor, zhvilloi vetëm 13 ndeshje në Ligën Premier.

Nga këto, vetëm dy i nisi si titullar, ndërsa arriti të shënonte dy gola.

Jesus ka regjistruar 64 paraqitje dhe 19 gola me kombëtaren e Brazilit dhe tani shpreson që kalimi te Barcelona t’i japë një shtysë të re karrierës së tij.

Në fillim të aventurës së re në Katalonjë, ai ka marrë edhe mbështetjen e ish-bashkëlojtarit të tij në kombëtare, Neymarit, një prej futbollistëve që e njeh më mirë presionin dhe pritshmëritë që shoqërojnë fanellën e Barcelonës.