Tre pilotë nga Kosova në Top 10-shen e botës në paragllajdizëm

Tre pilotë nga Kosova në Top 10-shen e botës në paragllajdizëm

Sport September 06, 2026 - 14:20

Tre pilotë të Klubit Aeronautik “Shqiponjat e Kastriotit” janë renditur në mesin e dhjetë pilotëve më të mirë në botë në disiplinën e paragllajdizmit në precizion.

Rezultati është bërë i ditur pas rifreskimit të renditjes botërore më 1 shtator 2026 dhe përbën një nga sukseset më të mëdha të klubit dhe të paragllajdizmit në Kosovë.

Sipas njoftimit të klubit, fakti që tre pilotë nga i njëjti klub kosovar janë pjesë e Top 10 të renditjes botërore vlerësohet si një arritje historike për “Shqiponjat e Kastriotit”, por edhe për sportin kosovar në përgjithësi.

Klubi thekson se ky sukses është rezultat i punës së vazhdueshme, stërvitjes intensive, përkushtimit dhe profesionalizmit të pilotëve, të cilët kanë arritur të konkurrojnë me sukses në arenën ndërkombëtare dhe të përfaqësojnë Kosovën në nivelet më të larta të këtij sporti.

Për klubin, kjo renditje dëshmon se edhe sportistët nga Kosova mund të arrijnë majat e sportit botëror përmes punës dhe përkushtimit.

“Tre pilotë. Një klub. Një Kosovë në elitën botërore”, thuhet në mesazhin e “Shqiponjat e Kastriotit”, duke e cilësuar këtë rezultat si një moment krenarie për klubin dhe vendin.

“Krenari që fluturon për Kosovën", mbyllet njoftimi i klubit.