Finalja Trepça–Bashkimi shtyhet, FBK-ja cakton fundin e shtatorit si afat të ri
Federata e Basketbollit e Kosovës ka njoftuar se finalja e ProCredit Superkupës së Kosovës 2026 mes Trepçës dhe Bashkimit, e paraparë të zhvillohej më 15 shtator, është shtyrë.
Vendimi është marrë nga Bordi i FBK-së pas kërkesës zyrtare të Komunës së Rahovecit, ku ishte planifikuar të zhvillohej ndeshja nga ora 19:00 në Palestrën Sportive “Mizahir Isma”.
Sipas njoftimit, kërkesa për shtyrje është bërë për arsye teknike dhe organizative, me qëllim që të sigurohen kushtet e nevojshme për organizimin dhe mbarëvajtjen sa më të mirë të finales.
FBK ka bërë të ditur se përballja mes Trepçës dhe Bashkimit pritet të zhvillohet më 29 ose 30 shtator 2026, sërish në Palestrën Sportive “Mizahir Isma” në Rahovec.
Data dhe ora përfundimtare do të përcaktohen pas koordinimit mes Federatës së Basketbollit të Kosovës, Komunës së Rahovecit dhe KB Rahovecit 029, në cilësinë e klubit nikoqir.
Federata ka njoftuar se pas përfundimit të konsultimeve do t’i informojë me kohë klubet, palët e përfshira dhe opinionin publik për termin përfundimtar të finales.
Ndërkohë, të gjitha biletat e blera për ndeshjen e planifikuar më 15 shtator do të mbeten të vlefshme edhe për datën e re të zhvillimit të finales.