“Dardanët”shkëlqejnë në shtëpi: Shifrat e Kosovës në “Fadil Vokrri” janë mbresëlënëse
Foto: Laura Hasani

“Dardanët”shkëlqejnë në shtëpi: Shifrat e Kosovës në “Fadil Vokrri” janë mbresëlënëse

Sport October 04, 2026 - 10:34

Kosova është shndërruar në një kundërshtar shumë të vështirë kur luan para tifozëve të saj, ndërsa statistikat e 13 ndeshjeve të fundit në shtëpi e dëshmojnë më së miri këtë.

Në 13 ndeshjet e fundit të zhvilluara në shtëpi, “Dardanët” kanë regjistruar 9 fitore, 2 barazime dhe vetëm 2 humbje, një bilanc që tregon qartë forcën e ekipit të Franco Fodës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

 

Gjatë kësaj periudhe, Kosova ka mposhtur kundërshtarë si Izraeli, Qiproja, Lituania, Islanda, Armenia, Komoret, Suedia, Andorra dhe Irlanda.

Në mesin e këtyre rezultateve bien në sy fitoret ndaj Suedisë me rezultat 2-0 dhe ndaj Irlandës 1-0, dy kundërshtarë me të cilët “Dardanët” u përballën në kuadër të garave zyrtare.

Humbjet e vetme në këto 13 ndeshje kanë ardhur ndaj Rumanisë (0-3) në shtator të vitit 2024 dhe ndaj Turqisë (0-1) në mars të vitit 2026.

Ndërkohë, Kosova ka barazuar 0-0 me Slloveninë dhe 1-1 me Zvicrën.

Një tjetër e dhënë interesante është edhe diferenca e golave.

Në këto 13 takime, Kosova ka shënuar 23 gola, ndërsa ka pranuar vetëm 10, duke e mbyllur nëntë prej ndeshjeve me portën e paprekur.

Forma në shtëpi ka marrë edhe më shumë peshë pas fitores së fundit ndaj Irlandës.

Më 24 shtator, Kosova triumfoi 1-0 në “Fadil Vokrri”, ndërsa më pas mori barazim 0-0 në udhëtim ndaj Izraelit.

Këto shifra tregojnë se “Fadil Vokrri” është kthyer në një terren ku Kosova mund të përballet denjësisht edhe me kundërshtarë të fortë, ndërsa mbështetja e tifozëve vazhdon të jetë një prej armëve kryesore të përfaqësueses.

Me një bilanc prej 9 fitoreve, 2 barazimeve dhe vetëm 2 humbjeve, Kosova ka dëshmuar se në shtëpi është një ekip që vështirë se mposhtet.