Ronaldo nuk ndalet, shënon golin e 981-të në karrierë, Al Nassr fiton mes tensioneve në Riad

Ronaldo nuk ndalet, shënon golin e 981-të në karrierë, Al Nassr fiton mes tensioneve në Riad

Sport October 13, 2026 - 00:11

Cristiano Ronaldo vazhdon të shkruajë historinë e futbollit.

Ylli portugez ka shënuar golin e 981-të në karrierën e tij, duke ndihmuar Al Nassrin të triumfojë 3-1 ndaj Neftchi Farg’onas në Ligën e Kampionëve të Azisë, ndërsa i afrohet gjithnjë e më shumë shifrës historike prej 1.000 golash.

Ndeshja në Riad u zhvillua në rrethana të pazakonta, pasi fillimi i saj u shty për një orë për shkak të një alarmi sigurie, pas raportimeve për interceptimin e një rakete balistike që po drejtohej drejt kryeqytetit saudit.

Pavarësisht situatës së tensionuar, Ronaldo dhe bashkëlojtarët e tij zbritën në fushë dhe siguruan fitoren në këtë përballje të rëndësishme.

Ronaldo shënon, i afrohet rekordit historik

Al Nassr kaloi në epërsi me golin e Angelo Gabrielit, përpara se Ronaldo të dyfishonte rezultatin në minutën e 42-të.

Portugezi realizoi me një goditje të fuqishme, duke e çuar në 981 numrin e golave të shënuar gjatë karrierës së tij.

Neftchi Farg’ona ngushtoi epërsinë në minutën e 51-të me Alisher Odilovin, por skuadra uzbeke mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Ekromjon Alibaevit në minutën e 65-të.

Fitoren e Al Nassrit e vulosi një autogol i Anvarjon Gofurovit në minutën e 78-të, për rezultatin përfundimtar 3-1.

Kështu, Ronaldo ka mbetur vetëm 19 gola larg objektivit të tij madhor: arritjes së kuotës prej 1.000 golash zyrtarë në karrierë.

Në qendër të vëmendjes edhe për situatën me Portugalinë

Goli i fundit vjen në një periudhë të trazuar për 41-vjeçarin, i cili është pezulluar përkohësisht nga Federata Portugeze e Futbollit pas një incidenti që lidhet me largimin e tij nga grumbullimi i kombëtares.

Mosmarrëveshja me përzgjedhësin Jorge Jesus lidhet me rolin e Ronaldos në ekip dhe minutat e lojës.

Sulmuesi kishte shprehur pakënaqësinë e tij pasi nuk u aktivizua në një ndeshje të Portugalisë, duke pretenduar se ishte shkelur besimi mes tyre.

Megjithatë, presidenti i federatës portugeze, Pedro Proença, ka bërë të ditur se ekziston dëshira që Ronaldo të rikthehet në kombëtare, ndërsa procedurat disiplinore do të trajtohen nga organet përkatëse.

Për momentin, ylli portugez vazhdon të përgjigjet në fushë me fanellën e Al Nassrit, duke iu afruar një tjetër arritjeje madhështore në karrierën e tij të jashtëzakonshme. /Zëri