Mourinho e mbron Gulerin: I kam kërkuar pamjet e s’i kam gjetur, nuk e kuptoj këtë obsesion

Mourinho e mbron Gulerin: I kam kërkuar pamjet e s’i kam gjetur, nuk e kuptoj këtë obsesion

Sport October 19, 2026 - 08:07

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka reaguar pas polemikave për Arda Gulerin, i cili u përfshi në një incident me Pequen në fitoren 4-1 të madrilenëve ndaj Sevillas.

Mourinho deklaroi se ka kërkuar pamjet e aksionit të diskutueshëm, por nuk ka arritur të gjejë një video që t’i mundësojë të krijojë një mendim të qartë për atë që ndodhi.

“Askush nuk ka arritur të më tregojë atë që thonë se ka ndodhur. Nuk kam pamje dhe nuk kam arritur ta shoh. Kam kërkuar pamje nga televizioni dhe analistët e mi, por nuk kam gjetur asnjë pamje të incidentit për të cilin po flasin dhe që ka zemëruar Sevillan”, u shpreh trajneri portugez.

Ai theksoi se nuk do të kishte problem të pranonte nëse Real Madridi do të përfitonte nga një vendim i diskutueshëm i arbitrave.

“Nëse një ditë ndodh diçka për të cilën mendoj se na ka favorizuar, nuk do ta kem asnjë problem të dal dhe ta them. Por mendoj se do të na ndodhë shumë herë e kundërta, sepse kjo është tendenca e natyrshme e gjërave”, deklaroi Mourinho.

Trajneri i Real Madridit shtoi se do të dëshironte t’i shihte pamjet deri para El Clasicos, në mënyrë që të mund të krijonte një opinion të bazuar në fakte.

“Nëse deri në El Clasico shfaqet ndonjë pamje, do të doja ta shihja”, tha ai.

Mourinho i kënaqur me paraqitjen e Real Madridit

Sa i përket ndeshjes ndaj Sevillas, Mourinho u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, duke vlerësuar kontrollin e lojës dhe cilësinë e treguar nga futbollistët.

“Kemi pasur shumë kontroll ndaj një skuadre të mirë dhe kemi luajtur mirë. Mendoj se ishte një fitore e bukur”, përfundoi trajneri portugez. /Zëri