“Grabitja e paralajmëruar”, Mundo Deportivo me akuza të rënda ndaj Real Madridit dhe gjykimit
Mundo Deportivo ka publikuar një artikull të ashpër pas fitores së Real Madridit ndaj Sevillas me rezultat 4-1, duke vënë në qendër të kritikave vendimet e gjyqtarëve dhe polemikat para El Clásicos.
Gazetari Pablo Planas e ka titulluar shkrimin “Kronika e një grabitjeje të paralajmëruar”, duke akuzuar Jose Mourinhon se ankesat e tij ndaj arbitrimit kanë ndikuar në klimën para ndeshjes.
Mourinho dhe ankesat për gjykimin para El Clásicos
Sipas gazetarit të Mundo Deportivo, Mourinho po rikthen një strategji që e kishte përdorur edhe gjatë periudhës së tij të parë në futbollin spanjoll, kur përballej me Barcelonën e Pep Guardiolës.
Artikulli pretendon se, kur nuk arrinte ta ndalte Barcelonën në fushë, trajneri portugez përqendrohej te krijimi i dyshimeve dhe te ankesat e vazhdueshme për gjykimin. Sipas Planasit, kjo qasje është rikthyer edhe në prag të përballjes së madhe mes Real Madridit dhe Barcelonës.
Gazetari e lidh këtë situatë me polemikat e javëve të fundit dhe përplasjen mes Florentino Perezit dhe presidentit të LaLigës, Javier Tebas.
Güler shpëton nga përjashtimi pas goditjes ndaj Peques
Një nga episodet kryesore të ndeshjes ishte kontakti i Arda Gülerit me Pequen, futbollistin e Sevillas. Sipas artikullit, turku e goditi kundërshtarin me bërryl në gojë, pa qenë topi në lojë, por nuk u ndëshkua me karton të kuq.
Mundo Deportivo e krahason këtë rast me përjashtimin e Vinicius Juniorit në ndeshjen e mëparshme, kur braziliani u ndëshkua për tërheqjen e flokëve të një kundërshtari dhe mori katër ndeshje pezullim.
Gazetari vë në pikëpyetje faktin që VAR-i nuk ndërhyri për ta rishikuar episodin e Gülerit, duke kritikuar mungesën e një përsëritjeje të qartë të aksionit.
Sevilla proteston edhe për golin e Mbappes
Polemikat nuk përfunduan me rastin e Gülerit. Para golit të dytë të Mbappes, Sevilla pretendoi se Konaté kishte ndërhyrë në mënyrë të parregullt ndaj Ures, duke e penguar të vazhdonte aksionin drejt portës.
Kike Salas reagoi në pushimin mes pjesëve, duke deklaruar: “Është përjashtim i qartë.”
Në fund, artikulli kritikon edhe penalltinë e akorduar në favor të Mbappes, të cilën autori e konsideron të paqenë.
Sipas Planasit, vendimet e gjyqtarëve e ndihmuan Real Madridin në një moment të rëndësishëm, pak para El Clásicos, ndërsa Mourinho, sipas gazetarit, nuk do të ketë arsye të ankohet për këto episode. /Zëri