Si është e mundur? Yamali mori 64% të mbështetjes së publikut, por Topin e Artë e fitoi Kane

Si është e mundur? Yamali mori 64% të mbështetjes së publikut, por Topin e Artë e fitoi Kane

Sport October 27, 2026 - 14:21

Harry Kane e fitoi Topin e Artë 2026, por të dhënat e publikuara nga “Goal”, duke iu referuar gazetës spanjolle “Sport” dhe platformës "Betfair", tregojnë një histori krejt tjetër sa i përket mbështetjes së publikut.

Lamine Yamal mori 64 për qind të mbështetjes së regjistruar në këtë platformë, ndërsa Kane siguroi 17 për qind dhe Mbappe vetëm gjashtë për qind.

Këto shifra e vendosin talentin e Barcelonës shumë përpara dy futbollistëve që përfunduan para tij në renditjen zyrtare të Topit të Artë.

Yamali mori më shumë mbështetje se të gjithë rivalët së bashku

Sipas të dhënave të Betfair, Yamali grumbulloi 64 për qind të mbështetjes, ndërsa të gjithë kandidatët e tjerë së bashku ndanë 36 për qind.

Kane, fituesi zyrtar i çmimit, u rendit i dyti me 17 për qind, ndërsa Mbappe mori gjashtë për qind.

Shtatë kandidatët e parë përbënin 96 për qind të vëllimit të aktivitetit në platformë, ndërsa futbollistë si Michael Olise, Jude Bellingham dhe Khvicha Kvaratskhelia kishin më pak se një për qind secili.

Megjithatë, këto shifra pasqyrojnë aktivitetin dhe mbështetjen në Betfair, e jo votat zyrtare të jurisë që përcaktoi fituesin e Topit të Artë.

Kane kryesoi në parashikime, Yamali fitoi zemrat e publikut

Një tjetër detaj interesant lidhet me ecurinë e parashikimeve gjatë sezonit. Sipas analizës së Betfair, Kane kryesoi në 12 nga 15 momentet e vlerësuara, nga muaji mars deri në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Yamali ishte në krye vetëm në dy raste: në muajin mars dhe më 6 tetor, kur mbështetja për fitoren e tij në platformë arriti në 34,71 për qind. Mbappe kryesoi vetëm një herë, në fillim të korrikut, gjatë Kupës së Botës.

Mesatarisht gjatë vitit, Kane kishte 25,7 për qind të probabilitetit të fitores sipas treguesve të platformës, kundrejt 15,13 për qind për Yamalin dhe 9,38 për qind për Mbappen.

Kështu, ndërsa parashikimet e "Betfair"-it e vendosën Kanen më shpesh si favorit, mbështetja e publikut në platformë ishte dukshëm në anën e Yamalit.

Në fund, rezultati zyrtar i Topit të Artë shkoi në favor të sulmuesit anglez. Yamali, megjithatë, e mbylli ceremoninë me çmimin e tretë radhazi Kopa, që vlerëson futbollistin më të mirë të ri në botë dhe me një mbështetje të madhe në të dhënat e publikuara nga "Betfair". /Zëri