Yamal jashtë Top 10, Kane në vendin e fundit – zgjedhjet e çuditshme për Topin e Artë
Polemikat rreth Topit të Artë 2026 nuk përfunduan me ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Pas publikimit të votave individuale të gazetarëve, kanë dalë në pah dallime të mëdha në mënyrën se si janë vlerësuar yjet e futbollit botëror.
Një nga rastet më të përfolura është ai i Lamine Yamalit. Pavarësisht se ylli i Barcelonës dhe i Spanjës konsiderohej ndër favoritët kryesorë për çmimin, gazetarët nga Bjellorusia dhe Kroacia nuk e përfshinë fare në dhjetëshen e tyre më të mirë.
Në anën tjetër, Khvicha Kvaratskhelia dhe mbrojtësi i Barcelonës, Pau Cubarsi, u shfaqën në pozita të larta në disa prej klasifikimeve, duke dëshmuar se juria nuk kishte një mendim të unifikuar për paraqitjet e futbollistëve gjatë sezonit.
Yamal jashtë dy listave, Rodri në krye të tri klasifikimeve
Gazetarët nga Bjellorusia dhe Kroacia ishin ndër ata që morën vendimet më befasuese sa i përket renditjes së Yamalit.
Përfaqësuesi i Bjellorusisë e vendosi Lionel Messin në vendin e parë, Rodrin në të dytin dhe Harry Kane në të tretin.
Ndërkohë, gazetari kroat zgjodhi Rodrin si futbollistin më të mirë, përpara Erling Haalandit dhe Lionel Messit.
Yamal pati renditje më të mirë në listat e tjera. Gazetari kolumbian e vendosi në pozitën e pestë, ndërsa përfaqësuesi i Vietnamit e renditi të katërtin.
Edhe gazetari nga Ekuadori e vendosi në vendin e pestë, në një klasifikim ku katër pozitat e para u zunë nga Michael Olise, Ousmane Dembele dhe Kylian Mbappe, me tre francezët që dominuan renditjen.
Në listën e Malit të Zi, Yamal përfundoi në vendin e katërt, pas Kane, Kvaratskhelias dhe Messit.
Një tjetër emër që spikati ishte Rodri. Mesfushori spanjoll u rendit i pari nga gazetarët e Kroacisë, Vietnamit dhe Çekisë.
Megjithatë, në listën e gazetarit çek, Harry Kane u rendit vetëm në pozitën e dhjetë, ndonëse në fund ishte pikërisht sulmuesi anglez ai që fitoi Topin e Artë.
Në kontrast me këtë zgjedhje, gazetari kosovar e vendosi Kane në vendin e parë, përpara Mbappes dhe Kvaratskhelias.
Kvaratskhelia dhe Cubarsi, befasi në votimet e gazetarëve
Khvicha Kvaratskhelia ishte një tjetër futbollist që mori vlerësime të larta në disa prej klasifikimeve individuale.
Ylli gjeorgjian u përfshi në treshen e parë të disa gazetarëve, përfshirë përfaqësuesin e Kosovës, i cili e renditi në vendin e tretë, pas Kane dhe Mbappes.
Edhe gazetari rumun e vendosi Kvaratskhelian në tri pozitat e para.
Një tjetër befasi ishte Pau Cubarsi. Mbrojtësi i ri i Barcelonës u rendit në vendin e tretë nga gazetari zviceran dhe në pozitën e shtatë nga përfaqësuesi kroat.
Në listën e këtij të fundit, në dhjetëshen më të mirë u përfshi edhe mesfushori portugez Vitinha.
Votimet e publikuara kanë rihapur debatin për mënyrën se si gazetarët i vlerësojnë futbollistët dhe se cilët faktorë ndikojnë më shumë në renditjen përfundimtare.
Rregullat e votimit parashohin tri kritere kryesore: paraqitjet individuale dhe ndikimin vendimtar të futbollistit, sukseset kolektive dhe trofetë e fituar me skuadrën, si dhe sjelljen sportive dhe respektimin e lojës së ndershme.
Megjithatë, pavarësisht kritereve të përcaktuara, vlerësimi mbetet subjektiv.
Listat e publikuara tregojnë se edhe për futbollistët më të mirë në botë, mendimet e gazetarëve mund të ndryshojnë ndjeshëm. /Zëri