Luis Figo e pranon se Yamali mund t'ia ndryshonte pozitën në fushë: Është talent i jashtëzakonshëm
Luis Figo ka dhënë një vlerësim të veçantë për Lamine Yamalin, duke pranuar se nëse do të kishin qenë bashkëlojtarë, ndoshta do të duhej të luante në një pozitë tjetër.
Legjenda portugeze, e cila gjatë karrierës së tij ishte një prej anësorëve më të mirë në botë, bëri shaka se talenti i Barcelonës mund ta zhvendoste nga krahu i djathtë në të majtin.
“Nëse do të kishim luajtur në të njëjtën kohë, ndoshta mua do të më duhej të luaja në të majtë dhe të ndryshoja pozicionin”, u shpreh ish-futbollisti i Barcelonës dhe Real Madridit.
Figo kujtoi gjithashtu fillimet e tij në Barcelonë, ku në moshën 22-vjeçare nuk e kishte të lehtë të siguronte një vend titullari, pasi atëherë lejoheshin vetëm tre futbollistë të huaj në formacion.
Ai foli edhe për mundësinë që Yamal të ndalet nga Real Madridi, duke thënë se markimi individual në të gjithë fushën do të ishte një çmenduri.
Sipas tij, zgjidhja është përqendrimi dhe mbulimi i spanjollit nga mbrojtësi që ndodhet në zonën ku ai vepron.
Figo, megjithatë, nuk kurseu as vetëlavdërimin me humor, duke deklaruar se në formën e tij më të mirë do të ishte titullar te secila prej dy skuadrave. /Zëri