Nga policë e ushtarë deri te mësimdhënës, çfarë punojnë gjyqtarët kosovarë jashtë futbollit
Kur dalin në fushë detyra e tyre është të marrin vendime brenda pak sekondash, të menaxhojnë tensionin mes futbollistëve dhe të mbajnë nën kontroll një ndeshje që shpesh përcillet me shumë presion nga tribunat.
Por sapo përfundon ndeshja dhe uniforma e gjyqtarit lihet anash, për shumë prej gjyqtarëve të futbollit kosovar fillon një punë krejt tjetër.
Të dhënat e siguruara nga Telegrafi tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e gjyqtarëve që ndajnë drejtësinë në Superligën e Kosovës dhe në Ligën e Parë kanë edhe një profesion tjetër të rregullt.
Në mesin e tyre ka policë, ushtarë, mësimdhënës, zyrtarë institucionesh publike dhe punonjës të sektorëve të tjerë.
Policët dominojnë në mesin e gjyqtarëve
Ajo që bie më së shumti në sy është numri i gjyqtarëve që profesion primar kanë punën në Policinë e Kosovës.
Nga tetë emrat e identifikuar në Superligën e Kosovës, katër prej tyre janë policë.
Arbnor Bullatovci, Kastriot Peci, Gentrit Zogaj dhe Granit Hyseni, përveç angazhimit në futboll, punojnë edhe si policë.
Profesion tjetër ka Ilir Mehmeti, i cili është i angazhuar në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), ndërsa Petrit Rama është profesor i edukatës fizike.

Visar Kastrati është i angazhuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa Genc Nuza punon në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Alban Shala në ndërkohë ushtron në të njëjtën kohë ushtron edhe detyrën e profesorit të edukatës fizike, njësoj siç bën po ashtu edhe Fatlum Jashari.
Pra, vetëm në këtë grup, gjysma e gjyqtarëve të identifikuar punojnë në polici.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Ligën e Parë.
Liridon Selimaj dhe Dylot Brahimi janë policë, ndërsa Syljot Sumiqi dhe Përparim Jakupi janë ushtarë.

Albin Shala punon në Doganën e Kosovës, Gramos Latifi është mësimdhënës, ndërsa Behar Selmanaj është i angazhuar në futsall.
Në total, nga 15 gjyqtarët e përfshirë në këto të dhëna, gjashtë janë policë, duke e bërë Policinë e Kosovës profesionin më të përfaqësuar në mesin e tyre.
Kjo do të thotë se rreth 40 për qind e emrave të identifikuar në Superligë dhe Ligën e Parë ushtrojnë paralelisht edhe profesionin e policit.
Nga policë e juristë deri te biznesmenë – kështu ka ndodhur edhe në futbollin botëror
Fakti që gjyqtarët kanë ose kanë pasur edhe një profesion tjetër nuk është aspak fenomen vetëm në vendin tonë.
Historia e gjyqtarëve ndërkombëtarë është e mbushur me emra të mëdhenj që, krahas bilbilit, kanë zhvilluar edhe karrierë në profesione krejt të tjera.
Një prej shembujve më të njohur është Howard Webb, gjyqtari anglez që drejtoi finalen e Kupës së Botës në vitin 2010 ndërmjet Spanjës dhe Holandës.
Para se ndarja e drejtësisë t'i bëhej profesion kryesor, Webb ka punuar si rreshter në South Yorkshire Police, duke e kombinuar për vite me radhë profesionin e policit me drejtimin e ndeshjeve. Ai mori pushim nga puna në polici për t'u fokusuar në karrierën si gjyqtar dhe më pas u shndërrua në një prej gjyqtarëve më të njohur në botë.

Një tjetër emër i madh është gjermani Felix Brych.
Brych, i cili ka drejtuar finalen e Ligës së Kampionëve dhe ndeshje në Kampionate Botërore e Evropiane, është jurist i diplomuar. Ai e ndërtoi karrierën e tij akademike dhe profesionale paralelisht me sukseset si gjyqtar në nivelet më të larta të futbollit evropian.
Holandezi Bjorn Kuipers, një tjetër emër i njohur dhe një gjyqtar i respektuar, ka qenë ndërkohë edhe sipërmarrës.
UEFA e ka prezantuar atë si drejtor supermarketi, ndërsa Federata Holandeze e Futbollit ka theksuar se Kuipers, së bashku me bashkëshorten, ka qenë pronar i supermarketeve. Krahas biznesit, ai arriti deri në nivelet më të larta të futbollit evropian dhe botëror.

Edhe anglezi Mark Clattenburg, i cili në vitin 2016 drejtoi finalen e Ligës së Kampionëve dhe finalen e Kampionatit Evropian, kishte një profesion tjetër para se ndarja e drejtësisë të bëhej karrierë e plotë.
Clattenburg ishte i kualifikuar si elektricist, ndërsa më vonë ka treguar se profesionalizimi në Ligën Premier e kishte detyruar ta linte pas profesionin e mëparshëm.
Një fenomen që ka ekzistuar edhe në nivelet më të larta
Shembujt e Webb, Brych, Kuipers, Clattenburg dhe shumë gjyqtarëve të tjerë tregojnë se për vite të tëra ndarja e drejtësisë nuk ka qenë domosdoshmërisht profesion i vetëm, madje as për emrat që kanë drejtuar finale të Kupës së Botës, Ligës së Kampionëve apo Kampionatit Evropian.
Në shumë vende, profesionalizimi i plotë i gjyqtarëve ka ardhur gradualisht.
Pikërisht për këtë arsye, fakti që gjyqtarët kosovarë punojnë si policë, ushtarë, mësimdhënës apo zyrtarë institucionalë nuk është një rast i izoluar në futbollin evropian.
Dallimi kryesor është niveli i profesionalizimit dhe të ardhurave që ofron secili kampionat.
Sa paguhen gjyqtarët në Superligën e Kosovës për një ndeshje?
Edhe kompensimet e përcaktuara për zyrtarët e ndeshjeve në Superligën e Kosovës japin një ide pse shumë prej tyre vazhdojnë të mbajnë një profesion tjetër.
Sipas tabelës së taksave dhe mëditjeve për zyrtarët e ndeshjeve, gjyqtari kryesor përfiton 200 euro për një ndeshje të Superligës.
Dy asistentët marrin nga 150 euro secili, ndërsa gjyqtari i katërt kompensohet me 100 euro.
Delegati i ndeshjes po ashtu merr 100 euro, ndërsa vëzhguesi i referimit përfiton 80 euro.
Në total, vetëm për këto gjashtë pozita, shpenzimi për zyrtarët e një ndeshjeje të Superligës arrin në 780 euro.

Kjo pagesë është kompensim për ndeshje dhe jo pagë mujore.
Kështu, nëse një gjyqtar kryesor do të delegohej në katër ndeshje gjatë një muaji, nga këto takime do të përfitonte 800 euro. Me dy ndeshje të drejtuara, shuma do të ishte 400 euro.
Numri real i angazhimeve, megjithatë, ndryshon dhe varet nga delegimet, niveli i paraqitjeve dhe vendimet e organeve përgjegjëse për referim.
Pikërisht këtu kuptohet edhe më mirë pse për shumë gjyqtarë kosovarë bilbili nuk është burimi i vetëm i të ardhurave. /telegrafi