Rafael Nadal i bashkohet bordit të drejtorëve të Real Madridit
Rafael Nadal mund të marrë një rol të ri në Real Madrid. Klubi mbretëror ka bërë të ditur se ka propozuar legjendën e tenisit për anëtar të Bordit Drejtues, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga delegatët në Asamblenë e 21 nëntorit.
Propozimi u miratua nga Bordi Drejtues në mbledhjen e së mërkurës. Nadali, i cili është anëtar nderi i Real Madridit, është i regjistruar në klub me numrin 67.778.
Në komunikatën zyrtare, Real Madrid e cilësoi atë një prej figurave më të mëdha në historinë e sportit dhe theksoi se vlerat e tij, si përkushtimi, përulësia, respekti për kundërshtarët dhe shpirti luftarak, përputhen me identitetin e klubit.
Nadal ka lënë gjurmë të jashtëzakonshme në tenis, duke fituar 22 tituj Grand Slam, 92 trofe individualë, dy medalje të arta olimpike dhe pesë herë Kupën Davis me përfaqësuesen e Spanjës.
Tashmë, ish-numri një i botës është në pritje të votimit të delegatëve për të nisur një etapë të re në klubin madrilen, larg fushave të tenisit dhe në një rol drejtues. /Zëri