Shkëndija e dominon derbin, por mposhtet nga Struga

Shkëndija e dominon derbin, por mposhtet nga Struga

Sport November 07, 2026 - 16:25

Kuqezinjtë munden 1:0 në transfertën ndaj Struga Trim Lum, ku pavarësisht dominimit dhe rasteve të shumta, Shkëndija nuk arriti të konkretizojë, ndërsa vendasit shënuan nga mundësia e vetme serioze.

Shkëndija e nisi ndeshjen me intensitet të lartë, duke kërkuar që në minutat e para të marrë iniciativën.

Në minutën e tretë, Krasniqi u ndal me faull në zonë dhe kuqezinjtë fituan penallti, mirëpo pas rishikimit të situatës nga VAR, vendimi u anulua.

Në minutën e 23-të, goditja e Tambës u bllokua, ndërsa Struga rastin e parë e krijoi në minutën e 25-të, kur Agamah goditi mbi portën e Shkëndijës. Rasti më i mirë i pjesës së parë për tetovarët erdhi në minutën e 38-të.

Kryeziu harkoi bukur në zonë, Gjorgjievski goditi me kokë, por portieri Vasilev reagoi në mënyrë spektakolare, duke mbajtur portën e tij të paprekur.

Në pjesën e dytë, Shkëndija vazhdoi të kërkojë golin e epërsisë. Në minutat e para, Meliqi lëshoi një goditje të fuqishme që përfundoi në traversë.

Në minutën e 51-të, Trumçi harkoi në zonë, ndërsa Gjorgjevskit iu mohua goli nga një tjetër pritje e shkëlqyer e Vasilevit, i cili reagoi në stilin e portierëve të hendbollit.

Vetëm tre minuta më vonë, Rafa pasoi për Dimovskin, por edhe këtë herë portieri vendas ishte në vend.

Shkëndija vazhdoi presionin, ndërsa Tamba rrezikoi me kokë pas harkimit të Trumçit.

Struga ndërkohë ishte tërhequr në gjysmëfushën e saj, duke kërkuar mundësinë për të befasuar në kundërsulm.

Dhe pikërisht në minutën e 72-të, vendasit shfrytëzuan rastin e tyre të vetëm serioz.

Pas një aksioni të ndërtuar nga faza e mbrojtjes dhe një harkimi të saktë në zonë, Malevski goditi me kokë për rezultatin 1:0.

Në minutat e fundit, Shkëndija u hodh në kërkim të barazimit dhe fitoi një tjetër penallti pas prekjes së topit me dorë nga Bojku.

Megjithatë, pas rishikimit të situatës nga VAR, edhe ky vendim u anulua.

Kështu, Shkëndija pëson një disfatë të pafat në Strugë, pavarësisht dominimit në lojë dhe rasteve të shumta të krijuara.

Kuqezinjtë shkojnë në pauzën ndërkombëtare, me synimin për të rikuperuar forcat dhe për t’u rikthyer në një seri pozitive, në garën për kreun e tabelës.

Ndeshja e radhës

Shkëndija-Sileksi

Shkup| 22 nëntor 2026 | 13:00

STRUGA T&L-SHKËNDIJA 1:0 (0:0)

Stadiumi “Plazhi i Qytetit” në Strugë

Gjyqtar: Stojançe Tërpçevski

Golashënues: Maleski 72’ (Struga)

STRUGA: Vasilev, Rama (Daniel 86’), Zendelovski (A. Roçi 46’), Agamah, Bojku, Shabani (c) (Vosha 67’), Radeski (Maleski 67’), Fall (Belica 78’), Ismajli, Kola, Diako.

Trajner: Bledi Shkëmbi

SHKËNDIJA: Gaye, Trumçi, Manev, Meliqi, Dimoski, Rafa (Ndzengue 85’), Zejnullai (c), Krasniqi, Kryeziu (Kërstevski 75’), Tamba (Ibraimi 68’), Gjorgjievski. 

Trajner: Artim Pollozhani