Xherdan Shaqiri flet sërish për festimin ndaj Serbisë, tregon pse e bëri shqiponjën

Xherdan Shaqiri flet sërish për festimin ndaj Serbisë, tregon pse e bëri shqiponjën

Sport November 19, 2026 - 10:12

Xherdan Shaqiri ka folur sërish për festimin e famshëm me shqiponjë në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë në Kupën e Botës 2018, duke rikujtuar emocionet dhe tensionet që e shoqëruan atë moment.

Ish-futbollisti shqiptar theksoi se gjithçka kishte ndodhur në një atmosferë të tensionuar, me provokime para dhe gjatë ndeshjes, ndërsa shtoi se qëllimi i tij kryesor kishte qenë fitorja në aspektin sportiv dhe jo politik.

“Besoj se mediat kanë shkruar shumë për këtë çështje. Ka pasur provokime para dhe gjatë ndeshjes. Në fund, për mua ishte e rëndësishme të fitoja në aspektin sportiv, jo politik, edhe pse më pas gjithçka mori një dimension politik”, u shpreh Shaqiri.

Ai pranoi se festimi ishte një reagim emocional, i ndikuar nga gjithçka që kishte ndodhur para dhe gjatë përballjes. Shaqiri përmendi edhe Granit Xhakën dhe Stephan Lichtsteinerin, të cilët gjithashtu kishin bërë gjestin e shqiponjës, duke theksuar se në atë moment emocionet kishin qenë të shumta.

Image

“Po, ishte një reagim emocional. Pas gjithë asaj që ishte shkruar dhe provokimeve që kishin ndodhur, besoj se të gjithë e tepruam, duke përfshirë edhe mediat”.

“Shumë zviceranë nuk e kuptuan dhe nuk e njihnin historinë që qëndronte pas këtij veprimi, arsyen pse unë, Graniti dhe Stephani e bëmë atë gjest. Besoj se kishte shumë emocione të përfshira”, deklaroi ai.

Shaqiri, megjithatë, mendon se sot ky veprim nuk do të kishte të njëjtën peshë dhe nuk do të konsiderohej aq i rëndë sa në atë kohë.

“Mendoj se sot ky veprim nuk do të konsiderohej aq i rëndë”, përfundoi futbollisti. /Telegrafi