Prishtina mposht me lehtësi Drenicën, shkëlqen Diatta me het-trik

Prishtina mposht me lehtësi Drenicën, shkëlqen Diatta me het-trik

Sport November 20, 2026 - 19:17

Prishtina ka shënuar fitore bindëse me rezultat 3-0 në shtëpi ndaj Drenicës në kuadër të javës së 14-të në elitën e futbollit kosovar.

Skuadra e drejtuar nga Orges Shehu gjeti rrjetën për herë të parë në këtë takim në minutën e 40-të të ndeshjes me Assane Diattan, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit nga Anio Poçi.

Në pjesën e dytë mysafirët morën një goditje të madhe kur Erion Idrizi u ndëshkua direkt me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të palejuar ndaj Albin Krasniqit.Kryeqytetasit e shfrytëzuan më së miri epërsinë numerike në fushë, duke realizuar edhe dy herë të tjera me Diattan.

Vendasit shënuan në minutën e 67-të për 2-0 ku Diatta u asistua nga Dren Zeqiri, ndërsa het-trikun e kompletoi vetëm pak minuta më vonë (72’) duke realizuar për 3-0 pas asistimit nga Leotrim Kryeziu.

Me këtë fitore Prishtina shkon në kuotën e 35 pikëve dhe mban pozitën e liderit me tetë më shumë se Malisheva e vendit të dytë dhe 11 më shumë se Drita e vendit të tretë, por këto dy skuadra me një ndeshje më pak të luajtur.