Zërat
Esad Ejupi
Esad
Ejupi

Roli dhe rëndësia e autoriteteve përgjegjëse për parandalimin e konfliktit të interesit

Zërat December 10, 2018 - 12:15
Lexo detajet

Pothuajse çdo zyrtar publik tashmë e ka të ditur se Agjencia Kundër Korrupsionit është autoriteti qendror përgjegjës për mbikëqyrjen dhe zbatimin e Ligjit për Parandalimin e Konflikti të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Por kur themi se Agjencia është autoriteti qendror, atëherë kjo bën të nënkuptohet se ekzistojnë edhe disa nivele tjera, jo qendrore ose lokale, për parandalimin e konflikti të interesit. 

E ato janë:

Udhëheqësit e drejtpërdrejtë të zyrtarëve, sipas hierarkisë, brenda një institucioni, si dhe institucionet dhe autoritetet udhëheqëse sipas ligjit.
Institucionet në kuadër të aktiviteteve të tyre të brendshme parashohin dhe zbatojnë rregulla të veçanta për parandalimin e konfliktit të interesit varësisht fushëveprimit të institucionit përkatës.

Institucioni punëdhënës ka për detyrë ligjërisht që të mbledhë dhe të pranojë informata nga burime të ligjshme për interesat private të një zyrtari, duke përfshirë të dhënat publike ose private, pastaj informata të ofruara nga media dhe ankesat e qytetarëve sipas ligjit përkatës për mbrojtjen e informatorëve dhe çdo dispozitë tjetër ligjore në fuqi.

Po ashtu detyrë e institucionit punëdhënës është që të verifikojë besueshmërinë e burimeve dhe informatave për të vërtetuar konfliktin e interesit. 

Detyrë tjetër e institucionit punëdhënës është që ta vërë në dijeni zyrtarin për informatat që kanë të bëjnë me të dhe të cilat përbëjnë shkak për konflikt të interesit, duke i dhënë mundësinë punonjësit (zyrtarit) që të argumentojë të kundërtën, nëse kjo kërkohet nga ai.

Çdo informatë që vjen në institucionin punëdhënës duhet të trajtohet brenda afatit prej 15 ditësh, për çka pastaj institucioni njofton me shkrim raportuesin.

Punëdhënësi i zyrtarit kryen regjistrimin e interesave private të zyrtarit, ndërmerr masat e duhura për zgjidhjen e konfliktit të interesit dhe raporton tek Agjencia brenda afatit kohor të përcaktuar nga ajo.

Është obligim i autoriteteve përgjegjëse që për çdo vit, por jo më vonë se 31 janari i vitit vijues, të dorëzojnë në Agjencinë Kundër Korrupsionit një raport për vitin paraprak në lidhje me aktivitetet dhe veprimet e kryera në zbatim të Ligjit për Parandalimin e Konflikti të Interesit, duke përfshirë rastet konkrete të konfliktit të interesit, mënyrat e zbatuara për parandalimin ose trajtimin e tyre, rezultatet e arritura, si dhe statusin e trajtimit të tyre.

Pra, siç mund të kuptohet nga kjo që u tha më lart e që bazën e vet në tërësi e ka në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik (Nr. 06/L-011), institucionet publike të vendit tonë duhet që; secila për vete të hartojë rregullativë përkatëse për parandalimin e konfliktit të interesit në pajtim të plotë me fushëveprimtarinë dhe kompetencat e përgjegjësitë që ushtron ai institucion.

Ndërsa Agjencia Kundër Korrupsionit ndihmon në përgatitjen dhe përmirësimin e politikave dhe mekanizmave të parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesit, si dhe monitoron zbatimin e tyre.

Po ashtu Agjencia Kundër Korrupsionit është e obliguar dhe ka kompetencë të ofrojë ndihmë profesionale dhe teknike për këshillimin dhe mbështetjen e nismave ligjore dhe nënligjore, të cilat duhet të ndërmerren nga institucionet për parandalimin e konfliktit të interesit.

Pas krijimit ose fuqizimit të kësaj rregullative këto institucione do ta kenë më lehtë që vetë ato fillimisht të nisin të japin përgjigje ose të bëjnë përpjekje të japin përgjigje në situatat e konfliktit të interesit që ndodhin brenda institucionit të tyre. Kjo rregullativë përkatëse e institucioneve do të ndihmonte ato që të parandalojnë e të zgjidhin ato përmes instrumenteve të caktuara dhe vetëm atëherë kur nuk gjejnë zgjidhje ose kanë papajtueshmëri ose dallime të mëdha në vlerësim të situatave t’i drejtohen Agjencisë Kundër Korrupsionit për të marrë përgjigje ose për të zgjedhur rastin.

Agjencia Kundër Korrupsionit kryen hetim administrativ në përputhje me procedurën administrative dhe jep rekomandimet e veta për forcimin e kapaciteteve për administrimin e konfliktit të interesit në institucione.

I gjithë funksionimi dhe rëndësia e autoriteteve përgjegjëse varet shumë nga drejtuesit e institucioneve përkatëse. Prandaj, që këto autoritete përgjegjëse të jenë në funksion të detyrave dhe obligimeve të tyre udhëheqësit e institucioneve përkatëse duhet të kenë parasysh këto procese:

- Të komunikojnë brenda dhe jashtë institucionit mbi politikën e parandalimit të konfliktit të interesit;

- Të promovojnë një kulturë antikorrupsion, me qëllim të përmirësimit të përhershëm;

- Të inkurajojnë shfrytëzimin e procedurave të raportimeve në rast të dyshimit për konflikt interesi brenda institucionit;

- Të hartojnë një politikë dhe mekanizma për parandalimin e konfliktit të interesit në institucion, që respekton ligjet antikorrupsion dhe që janë të duhura për qëllimet e atij institucioni; 

- Të caktojnë një person (ose më shumë) si autoritet përgjegjës i cili ka përgjegjësinë dhe autoritetin për të këshilluar, parandaluar, monitoruar, hetuar, zgjidhur dhe raportuar rastet e konflikti të interesit brenda institucionit, si dhe bashkëpunimin e përhershëm me Agjencinë Kundër Korrupsionit, duke vlerësuar rregullisht performancën e tij;

- Të vlerësojnë riskun e konfliktit të interesit që lidhet me çdo marrje ose delegim të vendimeve;

Në këtë mënyrë përpjekja për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e detyrave publike, që rrjedhimisht do të thotë përpjekje për të parandaluar korrupsionin, do të ishte me intensive, më e hershme dhe më efikase, sepse veprimi do të ndodhte më herët, ose thënë ndryshe parandalimi do të ndodhte në burim.

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK