Zërat
Ballsor Hoxha
Ballsor
Hoxha

Mallkimi për të kërkuar lirinë

Zërat July 18, 2019 - 12:59
Lexo tjera detaje

Një gjë është e vërtetuar në tërë historinë e njerëzimit, se shoqëritë ekstreme si kjo kosovare, të cilat kanë vuajtur trauma tejet të rënda dhe gjendje dramatike mbyllen brenda mekanizmit të tyre mbrojtës dhe e ndërtojnë ritualin e vetëmbrojtjes duke lënë anash lirinë dhe reflektimin me veten, me tjetrin dhe me të ardhmen. Por është një gjë edhe më e rëndë kolektivi apo masa janë të gatshëm në çdo afekt për të atakuar çdo ndryshim dhe çdo dalje (exit) të secilit anëtarë të saj.

Sigurisht se dalja nuk nënkupton marrjen e kokainës dhe as linçimin publik të atij që mendon ndryshe, por së paku kjo është kërkimi i njeriut në esencën e tij për të ndryshuar, për të parë jashtë ritualit të instinktit të vrasjes dhe për t’u sprovuar në gjetjen e një rrugëdalje.

Janë disa njerëz të cilët nuk mund të pranojnë robërinë, dhe aq më shumë robërinë prej tëndit dhe kolektivit ku takon. Këta njerëz kërkojnë lirinë në çdo mundësi, qoftë edhe naiv të jenë relacioni i familjes, shokëve dhe rrethit i shtyen të mos dorëzohen as edhe para kokainës apo mundësisë së të qenit i linçuar publikisht dhe me familje si në Shqipërinë komuniste të tërë familjes së tyre.

Mirëpo këtu ka një problem tejet të vështirë, në pamundësinë e kolektivit për të dalë jashtë ritualit të vrajë ose vritu, apo thënë ndryshe ritualit të mbijetesës nga robëria e imponuar nga vet ky kolektiv, dhe pikërisht xhelozisë ndaj aftësisë apo edhe mallkimit të disa njerëzve, pavarësisht baballarëve të tyre, të njohur apo të panjohur, vangard apo edhe pensioner, akademik apo edhe mësues fshati në Kaçanik (me palmat gjithashtu), aftësisë së këtyre personave për të lakuar së paku ritualin e vetmborjtjes (lexo: vetëvrasjes) së këtij kolektivi. Ajo që thuhet këtu është se në këtë pamundësi të masës për të dalë jashtë obsesionit të tij për gjak, krijohet dallimi apo ndryshimi me ata që kanë aftësinë të vjedhin pak liri në këtë burg prej 2 milion metrash katror.

Masa e kolektivit tonë kosovar është e robëruar nga vetë obsesioni i saj për t’u vetëmbrojtur, nga linçimi i atyre që kanë aftësinë për të gjetur pak liri qoftë edhe në Prizren, nga bllokimi i çdo mundësie të daljes në liri.

Është tejet e rëndësishme që liria të mos jetë dokument të cilin e mbajnë pushtetet politike nën trysninë e tyre, sepse liria është ndërtim konstant, dinamik dhe i shkatërrueshëm po nuk e dite se ç’është ajo. Në të vërtetë liria nuk është aplikacion softverik dhe as e pafund, ajo ka një kufi dhe vetëm një kufi: të mos e lëndosh veten dhe të tjerët e për më tutje mund të bëhesh dhe jashtëtokësor. Por liria në këtë masë të kolektivit tonë është në të vërtetë vetë shpërfaqja e asaj që është në represion me dekada të shumta. Masa e këtij kolektivi nuk lejon asnjë ndryshim nga e kaluara e rëndë dhe asnjë lakim të ritualit të instinktit. Mirëpo gjithëherë harrohet se ky instinkt është i kohërave të luftës dhe jo më në lirinë shtetërore të Kosovës Republikë.

Liria ndërtohet, me çdo mëgjes dhe me çdo hënë të ndritur. Liria asnjëherë nuk përfundon dhe në të njëjtën kohë përfundon në një gjë të vetme: të dijsh atë që po bën, si gazetar i prostituuar nga pushtetet politike apo edhe si shijues i kokainës.

Në një tregim të Mehmet Krajës, Hija e qershisë në dritën e hënës shtrohet pyetja (sipas Kundera se: çdo letërsi bën pyetje) se mund të tradhëtosh, e tradhëtia duke qenë dënimi më i lartë në një vend frikacakësh si ne, pavetëdije dhe pa vullnet, por kjo masë dhe ky kolektiv kurrë nuk ta jep mundësinë për t’u rrëfyer për atë që ka ndodhur dhe për atë që ke bërë.

Është sigurisht një ndër tregimet më të bukura në gjuhën shqipe së paku, dhe në këtë shtrihet me personifikim tejet të ndjeshëm autorial të Mehmet Krajës jeta e – tradhëtarit – vetmia e tij dhe leçitja e tij nga masa, apo thënë më saktë detyrimi me automatizëm për vetë-leçitje të personazhit të tradhëtarit në këtë tregim.

Shih skemën e asaj që u tha prej fillimit të këtij shkrimi, mosndodhja e ndryshimit për shkak të mbylljes në instinktin e vrasjes, kësaj mase të kolektivit tonë:

1. Pushtetet politike ndërtojnë ligjin për kombin, shtetin dhe heroin

2. Prostituohet institucioni i komunikimit dhe informimit nga pushtetet politike

3. Institucioni i komunikimit kalon në qen i cili kërkon atë që është ndryshe nga masa dhe ligjet e vëna nga pushtetet politike

4. Sa më shumë skandal aq më shumë forcohet ligji dhe me këtë zotëruesi i ligjit e që janë pushtetet politike

5. Rrezikohen fytyrat që mund të bëjnë ndryshim dhe të shpjegojnë dhe çlirojnë këtë masë nga dhuna e pushteteve politike

6. Si rezultat sa më i mbyllur kolektivi në ritualin e vetëmbrojtjes aq më i rëndësishëm, më me peshë dhe më i rrezikshëm ligji i pushteteve politike.

Sa për përfundim, të gjithë presidentët amerikan kanë dëshmuar për konsumimin e kokainës, marihuanës etj, pastaj në Britani kokaina dhe droga të tjera janë kategorizuar si droga rekreative, dhe në të vërtetë tërë globi është në proces të kalimit nga stigmatizimi i përdoruesve të drogave në ofrim të një mundësie të dytë këtyre personave. Mirëpo në shoqëritë tona kjo është mënyra më e lehtë për prostituimin e vetë institucioneve informative dhe me këtë edhe mbylljes së rrugëdaljes këtyre personave.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK