Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

70 vjet të një gazete të rëndësishme për Gjermaninë, por edhe për shqiptarët në Ballkan

Zërat nëntor 02, 2019 - 08:27
Detajet

«Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) shënon 70-vjetorin e botimit. Ky është një rast për të kujtuar edhe rolin e madh të kësaj gazete në informimin e botës gjermane dhe europiane sidomos mbi zhvillimet në Kosovë në 40 vitet e fundit. Prishtina është kryeqyteti i vetëm i një vendi europian, ku një rrugë bart emrin e një korrespondenti shumëvjeçar të FAZ.

1.
Së fundi «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) organizoi një kongres të lexuesve, Leserkongress i thonë gjermanët. Në sallë plot lexues, siç thuhet, të thjeshtë, por edhe anëtarë të asaj që quhet dhe është elitë gjermane e botës industriale, akademike, kulturore, mediale. Aty ishte, natyrisht, edhe kancelarja Angela Merkel. Ajo gati një orë diskutoi me njërin nga botuesit e gazetës për «zotin dhe dynjanë», siç thonë gjermanët («über Gott und die Welt»). Merkel ishte në disponim të mirë. Foli edhe për gjëra personale, gjë që ajo e bën rrallë ose kurrë, kancelarja është një grua diskrete, e cila nuk e përzien jetën private me atë publike. Zyra është zyrë, kuzhina – kuzhinë. Merkel tha: «Burri im e lexon FAZ-in e ditës së mëparshme, ndërsa unë paralelisht e lexoj në iPad gazetën së ditës tjetër. Gjëja më interesante është kjo: secili prej nesh gjejmë diçka interesante». Pastaj Merkel tregoi se si person privat ajo e ka parapaguar gazetën që i shkon në shtëpi, sepse, siç tha, nuk do t’i shkonte ndërmend që ta merrte me vete në shtëpi gazetën e parapaguar nga zyra e kancelares. Çka lexon kancelarja? Së pari dy gazetat e mëdha mbirajonale, «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (konservatore) dhe «Süddeutsche Zeitung» (e qendrës liberale). Tekstet e gjata «i lexoj në letër», shtoi Merkel. Komentet, lajmet, kronikat e shkurtra gjithnjë e më shpesh në tablet. Kancelarja nuk lexon vetëm çfarë i pëlqen. Ajo çdo ditë nga shërbimi i saj për shtyp merr një zarf me rreth 100 artikuj të përzgjedhur nga shtypi gjerman, artikuj që mund të jenë me rëndësi për kancelaren.


2.
Sa e rëndësishme është një gazetë për një vend? Në 70-vjetorin e themelimit «Frankfurter Allgemeine Zeitung» pranoi një përshëndetje nga ana tjetër e barrikadave. Të premten gazeta e majtë «tageszeitung» (taz) e Berlinit e kishte ndërruar shkrimin e logos nga shkronjat normale në shkronja me frakturë (Frakturschrift ose german text/type, siç thuhet në anglisht): për të respektuar traditën titulli Frankfurter Allgemeine edhe në vitin 2019 shkruhet me shkronja të shekullit të 15-të. Në numrin e së shtunës FAZ u revanshua me dashamirësi: në ballinë e botoi ballinën e «tageszeitung». Në urimin nga Berlini thuhej se FAZ është «organi që më së miri shpjegon se si mendon pala tjetër» – pala tjetër në këtë rast është Gjermania konservatore, e afërt me partinë CDU të kancelares Angela Merkel. Sa është e afërt FAZ me CDU-në? Jo aq sa dikur, sidomos prej se Merkel më 2015 pranoi gati një milion refugjatë nga Siria dhe vende të tjera, disa komentatorë të FAZ (jo të gjithë) kanë mbajtur qëndrim kritik ndaj kancelares. Megjithatë, raportet janë ende korrekte, siç dëshmon edhe pjesëmarrja e Merkelit në kongresin e lexuesve të FAZ.

3.
«Frankfurter Allgemeine Zeitung» nuk ka kryeredaktor. Ajo drejtohet nga katër botues (Herausgeber), secili prej tyre ka një fushë të veçantë veprimi. Një shkruan për temat e mëdha globale, tjetri për politikën e brendshme, një për ekonominë dhe një merret më shumë me menaxhim të redaksisë. Në numrin e së shtunës Berthold Kohler shkruan se posti më i mirë krahas Papës dhe shefit të socialdemokratëve gjermanë është ai i botuesit të FAZ. Kohler është botues, në vitet 90-të ka qenë korrespondent në Pragë e Vjenë, prej nga ka raportuar mbi zhvillimet në vendet e Europës qendrore dhe juglindore. Kohler e quan Vladimir Putinin agresor në Ukrainë (ka gazetarë gjermanë që kanë mendim gati mirëkuptues për Putinin, por të tillët nuk kanë vend në FAZ). Siç nuk kanë pasur vend as në vitet ’90 gazetarët që për luftërat në Jugosllavi i fajësonin të gjithë.


4.
«Frankfurter Allgemeine Zeitung» dhe Ballkani – kjo është një histori e gjatë. Dhe kjo histori u soll në kujtesën e gjerë publike së fundi para një viti, kur vdiq Johann Georg Reissmülleri. Ai ka qenë gazetari më me ndikim në Gjermani që kundërshtoi agresionin serb kundër popujve të Ballkanit. Me komentet e tij legjendare, me gjuhën e zjarrtë, me autoritetin e pakontestueshëm dhe me njohuritë e gjithanshme mbi Jugosllavinë ai u angazhua për shpëtimin e popujve ballkanikë nga agresioni serb. Juristi dhe gazetari Reissmüller e njihte mirë Jugosllavinë: më 1967 «Frankfurter Allgemeine Zeitung» e dërgoi atë korrespodent në Beograd. Ai akuzonte Beogradin për «përndjekje gjenocidale» të shqiptarëve. Në historinë e re të Europës, Reissmüller është gazetari i vetëm që me shkrimet e tij e ka detyruar qeverinë gjermane të Helmut Kohlit ta pranojë pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë. Pa komentet e tij Gjermania vështirë se do të hynte në luftë më 1999 për çlirimin e Kosovës. Andaj nuk është befasi që xhami i kuzhinës se Reissmullerit ishte i blinduar, ngase në Serbi ishte premtuar një shumë gjashtëshifrore me para për atë person që e vret këtë gazetar. Nuk arriten ta vrasin. Reissmuller vdiq në dhjetor të vitit të kaluar në moshen 84-vjeçare.

5.
Krahas Reissmüllerit një gazetar legjendar i FAZ që ka shkruar për Ballkanin dhe sidomos për shqiptarët ka qenë Viktor Meieri, zviceran i lindur afër Zürichut, i cili si ekonomist i sapodiplomaur në St. Gallen në vitet 50-të shkoi në Jugosllavi për të ndërtuar autostradën vëllazërim-bashkim. Shumë shpejt ai e dekonstruktoi gënjeshtrën e vëllazërim-bashkimit dhe si asnjë gazetar tjetër perëndimor i kuptoi qëllimet grabitqare të hegjemonizmit serbomadh. Në fillim të viteve ’70 Meier raportoi shkurt për «Neue Zürcher Zeitung», pastaj nga viti 1975 deri më 1993 përshkroi krizën e thellë ekonomike dhe politike të Jugosllavisë si dhe procesin e shpërbërjes së këtij shteti shumëkombësh si pasojë e nacionalizmit agresiv të Beogradit. Më 2 dhjetor 1986 Viktor Meier botoi në FAZ një raport me këtë titull: «Serbët në Kosovë pothuaj nuk arrijnë të dëshmojnë akuza konkrete ndaj shqiptarëve». Me këtë Meier i kishte thënë gati të gjitha: politikanët nacionalistë serbë të prirë nga Millosheviqi, i cili mori pushtetin më 1987, po i ndërsenin dhe manipulonin serbët e Kosovës për të provokuar konflikte. Meier çmonte politikanët komunistë të Kosovës si Mahmut Bakalli e Azem Vllasi, ndërsa përkundër simpatisë që kishte për Ibrahim Rugovën nuk besonte se liria e Kosovës në aspektin afatgjatë do të arrihej vetëm me mjete paqësore. Historia do t’i jepte të drejtë. Në librat e tij Meier me saktësi e parashikoi shpërbërjen e Jugosllavisë. Ai përkrahu dëshirën e sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve, maqedonasve dhe shqiptarëve të Kosovës për pavarësi. Për punën e tij ai është dekoruar nga Sllovenia, Kroacia dhe Kosova. Në vitet 90-të Meier ishte kritik edhe ndaj politikës së Francës dhe Britanisë së Madhe ndaj Ballkanit, ai akuzonte Parisin dhe Londrën për qëndrime proserbe, por edhe për vlerësime të gabueshme, për përtaci për të menduar dhe për njohje sipërfaqësore të problemeve ballkanike. Më 1993 Viktor Meier u pensionua, por nuk e ndërpreu angazhimin për Kosovën. Ai ishte këshilltar i kryeministrit të atëhershëm në ekzil Bujar Bukoshi, të cilin e shoqëroi edhe në vizita në Washington, ku Viktor Meier në fillim të karrierës së tij si gazetar kishte qenë korrespondent. Viktor Meier ishte ndër gazetarët e parë gjermanë, i cili në fillim të viteve 80-të vizitoi Shqipërinë komuniste dhe gjatë udhëtimeve të tij, ndonëse i mbikëqyrur nga shërbimi sekret famëkeq Sigurimi, i pyeste bashkëbiseduesit se çfarë mendojnë për gjendjen në Kosovë dhe nëse duan të bashkohen me Kosovën. Më 1978 Meier erdhi në Kosovë për të raportuar mbi shënimin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

6.
Pas Viktor Meierit postin e korrespondentit për Ballkan e mori Matthias Rüb. Në shkrimet e tij Rüb tregoi një angazhim të jashtëzakonshëm në denoncimin e terrorit serb në Kosovë në vitet 90-të. Ai përshkroi fshatin Llaushë pak ditë pas vrasjes së Halit Gecit. Ai intervistoi Ibrahim Rugovën dhe Fehmi Aganin. Ai shkroi me po aq seriozitet sa për represionin serb edhe për politikën simbolike me gurë të Trepçës të dr. Rugovës, njeriut paksa të çuditshëm me shall dhe të rrethuar nga policia serbe. Më 1999 Matthias Rüb përshkroi Krushën e Madhe, ku shqiptarët e sapokthyer pas dëbimit të forcave serbe nga NATO-ja i gjenin në kopshte kafkat e etërve dhe vëllezërve të tyre. Pas luftës së Kosovës Rüb shkroi një libër për luftën e parë të NATO-s pas vitit 1945 dhe pastaj u nisi një betejë të madhe kundër disa gazetarëve të televizionit WDR, të cilët përmes një dokumentari skandaloz minimizuan krimet serbe në Kosovë dhe akuzuan NATO-n se e kishte filluar bombardimin e Jugosllavisë duke u bazuar në gënjeshtra. Rüb ende është gazetar. Nga Roma raporton për zhvillimet në Itali, Vatikan, Maltë – dhe Shqipëri. Aktualisht korrespondent i FAZ për rajonin është Michael Martens, analizat e të cilit shpesh janë përkthyer në shqip. Në një shtojcë speciale që botohet të shtunën Martens përshkruan jetën e korrespondentit, për të cilin nuk ka orar pune, ata janë përherë aktivë, puna e tyre, shkruan ai, funksionon sipas parimit të vetëplaçkitjes. «Por kjo është një vetëplaçkitje që të pasuron. Sepse kush paguhet që të udhëtojë nëpër historinë e botës dhe të rrëfejë për të?» Në një shkrim të Klaus-Dieter Frankenbergerit në shtojcën e lartpërmendur tregohet se kur vjet vdiq Johann Georg Reissmülleri, në Universitetin e Zagrebit u mbajt një tubim përkujtimor. «Në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, një rrugë bart emrin e ish-korrespondentit për Ballkan, Viktor Meier; ai vazhdimisht kishte tërhequr vëmendjen mbi fatin e shqiptarëve të Kosovës në Jugosllavi dhe potencialin e konfliktit të atyshëm», shkruan Frankenberger, i cili është shef u rubrikës së politikës së jashtme. «Frankfurter Allgemeine Zeitung» është një gazetë e rëndësishme jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për shqiptarët kudo në Ballkan.