Zërat
Ymer Avdiu
Ymer
Avdiu

Çka fiton e çka humb Kosova pas Washingtonit?

Zërat September 09, 2020 - 13:01

Serbia do të kërkojë që sipas modelit të Ujmanit të zgjidhen të gjitha çështjet me Kosovën, duke e ndarë jo vetëm pasurinë, por edhe sovranitetin politik.

Delegacioni i Kosovës në takimin e mbajtur në Shtëpinë e Bardhë në SHBA ka bërë tri lëshime esenciale dhe të dhimbshme për Republikën e Kosovës ndaj delegacionit serb: Hoqi dorë nga njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e pranoi të ashtuquajturin “Mini-Shengen” dhe lëshimi i tretë, mbase më i dhembshmi, ishte pajtimi që fizibilitetin e resurseve dhe pasurive të Ujmanit ta bëjë pala amerikane, me qëllim që këto pasuri të liqenit, ujit dhe energjisë të ndahen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, për këto tri lëshime si kundërvlerë specifike Kosova nuk mori asgjë.


Pse delegacioni kosovar u tërhoq nga qëndrimet e veta?


Kryesuesi i delegacionit të Kosovës në këto bisedime, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti para takimit e pat bombarduar opinionin shqiptar se në Washington po shkojnë me të vetmen pikë dhe ajo është njohja reciproke. Prandaj, e ka borxh t ‘ia sqarojë qytetarit dhe opinionit pse me kaq lehtësi hoqi dorë nga premtimi themelor. 
Për Mini-Shegenin, shefi i kryeministrit Hoti, Isa Mustafa kishte deklaruar kohë më parë se është Mini-Jugosllavi. Ai kishte deklaruar: “Në cilat kuzhina po zihen projektet e Unionit Doganor të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të Tregut të Përbashkët të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe së fundmi të Mini-shengenit ndërmjet këtyre vendeve?! Në shiqim (shikim) të parë duken projekte atraktive, por në esencë qojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë. Janë ide që nuk i kemi përkrahur sa e kemi drejtuar qeverinë dhe nuk do ti përkrahim si Lidhje Demokratike e Kosovës, as në pozitë dhe as në opozitë. Ashtu siç nuk përkrahim ndryshimin e kufijve shtetëror të Kosovës. Kosova duhet të aspirojë tregun unik evropian, fillimisht mbi bazën e MSA-së që rregullon edhe doganat dhe të bëhemi pjesë e Marrëveshjes Shengen, ku janë shtetet e BE-së. Marrëveshjet e Mini-Shengenit lindi kur nuk u realizua projekti i ideuar në Serbi për Unionin Doganor dhe idea për Unionin Ekonomik të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të kundërshtimit të Kosovës dhe të Malit të Zi. Marrëveshjet e tilla qojnë në një situatë kur tatimet në kufi, qoftë TVSH-në, tatimin doganor, akcizën do ti mbledh në pjesën më të madhe Serbia për Kosovën (e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës), sepse kemi kufirin me te gjatë më te, e në pjesët e tjera, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Kosova nuk kufizohemi tanipërtani me asnjë nga vendet anëtare të BE-së. Prandaj me këtë marrëveshje sovranitetin tonë do ua kalonim vendeve fqinje, sepse siç dihet Shengeni (mini apo maxi) nënkupton politika unike të vendeve anëtare për kalimin e lirë të kufijve pa kontroll dhe kjo do të vlente edhe për Mini-shengenin e Serbisë dhe të përkrahësve të hegjemonisë së saj.Politikat e Mini-shengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i qon në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia. Janë këto manovrime të Serbisë për të bishtëruar detyrimet ndaj Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën dhe për njohje të pavarësisë së Kosovës. Ndoshta kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë Veriore e kanë të qartë se ku janë interesat e vendeve të tyre por Kosova asesi.”-kishte deklaruar shefi i kryeministrit Hoti dhe aq shumë herë e kishte përkrahur shefin e tij për këtë pikë, prandaj, edhe për këtë pikë duhet të sqarim, pse me kaq lehtësi u bë ky ndryshim, ky rikthim në ”Mini-Jugosllavi”, që e dëmton Kosovën dhe se cka ka ndryshuar në ndërkohë që ky union të jetë i dobishëm për Kosovën dhe për shqiptarët. Po ashtu premtimet e delegacionit ishin se pasuria dhe resurset e Kosovës nuk do të vihen në pazar në bisedimet serbe dhe ky premtim u shkri  me marrëveshjen për Ujmanin. 

Serbia e do ndarjen e pasurisë dhe sovranitetit të Kosovës 

Me letrat e nënshkruara në Shtëpinë e Bardhë në SHBA, duket se në Serbi janë të gjithë të kënaqur me ato që kanë fituar në raport më Kosovën,  dhe duket sikur në heshtje thonë se ia vlejti çmimi që i pagoi Serbia Washingtonit siç ishte gjesti i poshtërimit të presidentit Vuciq para presidentit Tramp, marrja e obligimit për kalimin e ambasadës serbe nga Telavivi në Jerusalemin lindor, lufta kundër Hazbullahiut, lufta kundër 5G kineze etj. Të gjithë në Serbi, që nga zyrtarët e shtetit, analistët e deri edhe mediet që nuk janë në shërbim të pushtetit vlerësojnë se marrëveshjet e takimit në Shtëpinë e Bardhë janë një fitore e madhe për Serbinë. Dhe, veçmas me shume kënaqësi e bujë e trajtojnë hapjen e temave të reja në Bruksel veçmas temën e kthimit të të shpërngulurve (të të ndjekurve serb (raseljenih srba) siç i quan Serbia dhe ndarjen e pasurisë, që sipas tyre i është dhënë impuls i ri nga Shtëpia e Bardhë për bisedimet që vazhdojnë në Bruksel. Se për çfarë pasurie të përbashkët që duhet të ndahet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qytetari i zakonshëm i Kosovës nuk ka asnjë haber. Qytetari i Kosovës e di se Serbia qe ajo që e okupoi Kosovën, largoi mbi 105 mijë punëtorë shqiptarë nga puna, okupoi shkollat, universitetet, institucionet shëndetësore, fabrikat, ndërmarrjet publike, fondet, ndoqi nga Kosova mbi gjysmë milioni njerëz nga viti 1990 deri në vitin 1997, dogji Kosovën në luftën e fundit, vrau rreth 13 mijë qytetarë shqiptarë, dhunoi mbi 20 mijë gra shqiptare dhe largoi nga Kosova mbi 800 mijë shqiptarë, humbi kufomat e mijëra shqiptarëve, pas lufte mori peng mijëra qytetarë shqiptarë si të burgosur në Serbi, plaçkiti fondin pensional të qytetarëve të Kosovës, mori artefakte kulturore dhe monumente të tjera kulture, mori librat kadastral,  etj. 
Ndërkaq, politikanë, specialistë e analistë serb të fushave të ndryshme në Serbi po kërkojnë këto ditë që në bisedimet e ardhshme me Kosovën të shfrytëzohet modeli i marrëveshjes për Ujmanin për zgjidhjen e problemit më Kosovën, duke i ndarë resurset, pasurinë, por edhe sovranitetin e Kosovës më Serbinë. - Serbia tash ka hapësirë ta shfrytëzojë atë që është nënshkruar (për Ujmanin) dhe të shfrytëzohet si pikë nistore për të gjitha ofertat e Beogradit ndaj Prishtinës, të cilat deri tash shqiptarët vazhdimisht i kanë heshtur poshtë. Kjo të shfrytëzohet që të ndahet sovraniteti jo vetëm në ekonomi, por edhe sovraniteti politik. Shqiptarët tash vetë e kanë hapur këtë mundësi pasi kanë pranuar këtë parim si ky me Ujmanin dhe ne tani kemi të drejta legjitime që të kërkojmë që ky parim të vlejë për të gjitha çështjet e hapura, deklarojnë specialistë në Beograd.

Çka fitoi Kosova?

Do ishte e padrejtë që të nxirën vetëm anët e këqija të takimit në Shtëpinë e Bardhë për Kosovën, sepse aty pati edhe anë pozitive dhe ajo më kryesorja ishte se  për herë të parë në një nivel kaq të lartë Kosova është paraqitur e barabartë me Serbinë dhe në këto marrëveshje shprehen qartë parimet e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Një sukses tjetër duket të jetë pakoja e ndihmave ekonomike amerikane, kreditë e buta etj., mirëpo tash për tash nuk dihet sa e çka do të fitojë Kosova, ku do të shkojnë këto fonde, si dhe nga kush do të qeverisen ato. Tash për tash nga kryeministri Hoti opinioni i vendit është njoftuar se Kosova do të përfitojë rreth 1 .1 miliardë dollar amerikanë. E mira është se me këtë u është hapur rruga investimeve amerikane. Edhe në këtë pikë gjithsesi më e fituar del Serbia, pasi në Beograd do të hapët zyra për investime amerikane e në Prishtinë jo. 
Ndërtimi i hekurudhës Nish-Durrës, ndërtimi i autostradës Nish-Durrës dhe  ndërtimi i  një porti të ri në detin shqiptarë, mbase ai i Shëngjinit, ku do të ketë qasje edhe Serbia, por edhe ndërtimi i infrastrukturës tjetër brenda Kosovës , duhet të konsiderohet një fitore  jo vetëm e Kosovës , por edhe fitore e të gjithë  shqiptarëve, jo vetëm e këtyre në atdhe, pore dhe për lehtësimin e lidhjes së diasporës së madhe shqiptare me atdheun.
Marrëveshja në shtëpinë e Bardhë ka të mirat e veta, por gjithsesi  bartë rreziqet e veta  për zhvillimin e ngjarjeve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në raport më Serbinë dhe përgjithësisht për të ardhmen e Kosovës dhe kombit, bartë rreziqe për ekonominë dhe sigurinë kombëtare në raport me shtetin serb dhe kjo drojë bëhet më e madhe pasi faktori shqiptar brenda vetë Kosovës është i ndarë dhe i përçarë  skajshmërisht, faktori shqiptarë në përgjithësi është inert, defansiv. Besimi i qytetarit ndaj pushtetit nw tw gjitha shtetet shqiptare është tejet i vogël.  Në takimet me Serbinë , nuk marrin pjesë ekspertë të fushave përkatëse, por politikanët si duket krejt marrëveshjet duan t’i marrin mbi vete vetëm për interesa të pushtetit si dhe duhet parë edhe faktori historik sepse shqiptarët kanë dalë humbës ndaj Serbisë, prejse ekziston shteti serb.


(Autori është ish-gazetar i Rilindjes)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK