Zërat

Qytetari i pambrojtur, siguria publike e harruar

Zërat August 10, 2023 - 14:13
Shkruan: Burim Ramadani

Të gjitha institucionet duhet të koordinohen qartësisht me nivelin lokal po ashtu. Këshillat Komunale të Sigurisë në Bashkësi KKSB), Komitetet Lokale të Sigurisë Publike (KLSP), Ekipet Vepruese të Sigurisë Publike (EVSP) duhet të jenë në angazhim të plotë. Nuk mund të kuptohet largimi nga zhvillimi i këtyre instrumenteve të rëndësishme për sigurinë publike.

Vendi po kërcënohet seriozisht nga bandat kriminale.

Të armatosur, madje edhe me maska, banditët nuk zgjedhin vendin dhe as kohën për të shkrepur mbi të tjerët. Kjo po ndodh në Kosovë. Në vitin 2023. Në Kosovën demokratike! Kosova ka strategjitë më të avancuara të Policimit në Bashkësi, Policimit të Udhëhequr nga Inteligjenca, Policit të Lagjes, përkatësisht komunikimit të drejtpërdrejtë midis institucioneve të sigurisë dhe qytetarit.

Normalisht, strategjitë e këtilla kanë pasur efektet e veta të dukshme në reduktimin e krimit në sigurinë publike, pavarësisht se nuk ka vend ku krimi është i barabartë me zero.

Sidoqoftë, duket një largim nga kapacitetet e zbatimit të këtyre strategjive. Duket qartë largim nga prioriteti për sigurinë publike.

Është e vlefshme të përmendet se Siguria Publike dhe Siguria Njerëzore janë elemente thelbësore të sigurisë kombëtare në përgjithësi. Prandaj, edhe në Strategjinë e Sigurisë së Kosovës, të miratuar në Kuvend më 25 tetor 2022, siguria njerëzore dhe siguria publike janë të përfshira në dimension serioz.

Porse, krimi që ka arritur shkallë të lartë në ditët e fundit patjetër se rrit dukshëm ndjenjën e pasigurisë së qytetarëve. Tek e fundit, sikurse njihet në teori, siguria para së gjithash është ndjenjë, derisa ndjenja e sigurisë fuqizohet me veprime konkrete dhe të mirëplanifikuara të shtetit. Përkatësisht, institucionet udhëheqëse të fushës së sigurisë, përfshirë këtu Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë për obligim qytetar dhe institucional të afrojnë institucionet e sigurisë me qytetarin.

Në momentet kur qytetari mbetet i pambrojtur dhe siguria publike kthehet në harresë, grupet e kriminalitetit marrin hovin për të vepruar.

Të gjitha institucionet duhet të koordinohen qartësisht me nivelin lokal po ashtu. Këshillat Komunale të Sigurisë në Bashkësi KKSB), Komitetet Lokale të Sigurisë Publike (KLSP), Ekipet Vepruese të Sigurisë Publike (EVSP) duhet të jenë në angazhim të plotë.

Sikurse mund ta gjeni edhe në komunikimin zyrtar të Policisë, “koncepti Policimi në Bashkësi është një fushë shumë e rëndësishme e cila bazohet në ndërtimin e një partneriteti të shëndoshë dhe efikas me bashkësinë, shkëmbimin e dyanshëm të informatave në identifikimin e problemeve apo preokupimeve të bashkësisë në aspektin e sigurisë si dhe parandalimin e dukurive negative apo zgjidhjen e tyre bashkërisht me bashkësinë.”

Porse, ky koncept nuk mund të realizohet në plotëni pa zhvillimin e plotë dhe të vazhdueshëm të Këshillave Komuale, Komiteteve Lokale dhe Ekipeve Vepruese të lartcekura. Nuk mund të kuptohet largimi nga zhvillimi i këtyre instrumenteve të rëndësishme për sigurinë publike.

Përballimi me sfidat e shumta të sigurisë në Kosovë nuk është arsyetim për gjithçka tjetër që ndodh në vend. Fokusimi në veri të Kosovës nuk duhet të shihet si hapje e rrugës për pasigurinë publike anekënd vendit, sepse rrjedha e pasigurisë publike fatkeqësisht ka filluar ta kaplojë mbarë vendin. Në Prishtinë, në Klinë, në Fushë Kosovë, në Skenderaj apo edhe ndonjë rast tjetër gjatë këtyre ditëve të fundit qytetarët janë terrorizuar nga krimi.

Në komunat në veri fatkeqësisht na u rrit dhe u rifuqizua EULEX-i. Na u rrit numri i trupave ushtarake të KFOR-it! U vendos vëmendje e madhe ndërkombëtare, me të mirat dhe të këqijat e saj, deri në vendosje të Kosovën nën masa shtrënguese diplomatike dhe praktike nga vendet partnere perëndimore.

Por, qytetarët e Kosovës po përballen me dobësim të dukshëm të sigurisë publike.

Qytetari është më i pambrojtur sot! Siguria Publike është më e keqe sot!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK