Zërat
Faik Hoti
Faik
Hoti

Fruthi dhe epidemia e injorancës

Zërat May 06, 2026 - 11:34

Hezitimi apo në rastin më të keq – refuzimi i vaksinës kundër Fruthit, nuk është thjesht një zgjedhje personale e ndonjë prindi të pavëmendshëm për shëndetin e fëmijës së tij, është një kërcënim që rrezikon të zhbëjë të arritura për dekada të tërë në fushën e shëndetit publik

Në një shoqëri normale, sëmundjet si fruthi i përkasin të kaluarës. Në Kosovën e sotme, ai po rikthehet, jo për shkak të mungesës së vaksinave, por si pasojë e një fenomeni shumë më të rrezikshëm: epidemisë së injorancës.

Kjo nuk është një injorancë e pafajshme, e lindur nga mungesa e informacionit. Përkundrazi, është një injorancë aktive, e ushqyer dhe e përhapur përmes keqinformimit, dezinformimit, frikës dhe mosbesimit. Në vend që, qytetarët të mbështeten e të besojnë në fakte shkencore dhe rekomandim të profesionistëve shëndetësor, diskursi publik po dominohet nga mite, teori konspirative dhe zëra të pa përgjegjshëm që i shumëfishojnë dhe i shpërndajnë ato.

Disa prindër që  (dikur janë vaksinuar për vete) kanë vendosur sot t’ia kthejnë shpinën vaksinimit të fëmijëve të tyre. Por, ata duhet ta dinë se fruthi nuk është një sëmundje e lehtë. Është 6 herë më ngjitëse se gripi dhe 1 nga 5 fëmijë të infektuar mund të zhvillojnë komplikime serioze, përfshirë pneumoni, ndezje e dëmtime të trurit, infeksione të veshit dhe madje vdekje. Dhe, megjithatë, në një kohë kur ekziston një vaksinë e sigurt dhe efektive, e cila përdoret prej më shumë se 60 vjetësh, shohim një hezitim dhe rënie të mbulueshmërisë me vaksinim.

Standardi i nevojshëm për të parandaluar përhapjen e fruthit është një mbulueshmëri prej të paktën 95%. Në Kosovë, kjo mbulueshmëri ka rënë në rreth 82% për vaksinën MMR (vaksina kundër Fruthit, Shytave dhe Rubellës). Kjo rënie nuk është thjesht një statistikë, as një teori, është një sinjal alarmi, që tashmë po shoqërohet me shpërthime të vogla të rasteve në ditët e fundit të fëmijët e pavaksinuar, që në vend të kopshtit dhe shkollës, po kalojnë ditë të këqija në Klinikën Infektive. Pra, ky është një tregues i qartë se rreziku nuk është hipotetik, por real dhe i pranishëm. Kur normat e vaksinimit bien, imuniteti i tufës shkatrrohet dhe hapet dera për rikthim të sëmundjeve që janë të parandalueshme. Më të rrezikuarit janë fëmijët, por, të ekspozuar janë edhe të moshuarit, tek të cilët, me kalimin e viteve, imuniteti dobësohet.

Fenomeni i rënies së normave të vaksinimit kundër MMR nuk është i izoluar vetëm në Kosovë, por po vërehet edhe në shumë vende të tjera. Megjithatë, kjo nuk e zbut përgjegjësinë tonë. Përkundrazi, e bën edhe më urgjente nevojën për veprim, sepse hezitimi apo në rastin më të keq -refuzimi i vaksinës, nuk është thjesht një zgjedhje personale e ndonjë prindi të pavëmendshëm për shëndetn e fëmijës së tij, është një kërcënim që rrezikon të zhbëjë të arritura për dekada të tëra në fushën e shëndetit publik. Aq më tepër kur dhjetëra studime shkencore epidemiologjike me metodologji rigoroze dhe me qindra mijëra fëmijë të përfshirë (si studimi në Danimarkë më 2019, që analizoi mbi 650,000 fëmijë të lindur në këtë shtet për më shumë se një dekadë), treguan qartë se vaksina MMR nuk e rrit rrezikun për autizëm, madje as te fëmijët me faktorë të rrezikut.  Ky studim, krahas të tjerave, konsiderohet një nga provat më të forta shkencore që ka rrëzuar përfundimisht pretendimet për lidhje mes vaksinës dhe autizmit, të shfaqura nga një studim i kryer me metodologji të njëanshme, jo etike dhe me vetëm 12 fëmijë (më 1998), për çka autori i saj u shpall fajtor për shkelje serioze, konflikt interesi dhe heqje licence nga General Medical Council (GMC) në Mbretërinë e Bashkuar.

Në krejt historinë e hezitimeve rishtazi, roli i mediave sociale është i pamohueshëm.  Disa prej tyre janë kthyer në platforma ku informacioni dhe dezinformimi kanë të njëjtën peshë. Argumenti  i shkencës, barazohet me teorinë e konspiracionit. Zërat profesionalë shpesh humben në një vorbull opinionesh të pabazuara, ndërsa algoritmet e arritshmërisë-ndjekjeve, favorizojnë përmbajtjen që nxit frikë dhe reagim emocional.

Kjo, pastaj ka një kosto për të gjithë, sepse pasojat janë të dukshme. Prandaj, rreziku i shpërthimeve të tjera epidemike është real. Nuk është i izoluar, siç konsiderohej për vite të tëra në Kosovë. Shumica e rasteve të diagnostikuara të fruthit në prill-maj 2026, i përkasin komunitetit shumicë në Kosovë, me një shpërndarje të rasteve nga njëra komunë në tjetrën, pa pasur lidhshmëri me komunitetet që, tradicionalisht kanë qenë më të ekspozuara dhe me normë më të ulët të vaksinimit, siç janë komuniteti Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Përtej rasteve aktuale që po mbikëqyren e menaxhohen, aktiviteteve shtesë të punonjësve të shëndetit publik dhe të vaksinimit në terren, për të identifikuar fëmijët e pavaksinuar dhe thirrjeve të vazhdueshme për prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët, një pasojë e rrezikshme tashmë është në horizontin e vaksinimit në Kosovë. Tendenca e rrezikshme e  një lloj normalizimi të kësaj gjendje dhe lehtësia e disa prindërve për ta refuzuar vaksinimin dhe për ta parë refuzimin si një lloj “zgjedhje e zakonshme”, e jo si një detyrim ligjor për të ruajtur shëndetin publik individual dhe kolektiv. Nëse kjo neglizhohet, do të hyjmë në një fazë ku injoranca nuk do të jetë më përjashtim, por një standard i tolerueshëm dhe me pasoja.

Dalja nga kjo situatë kërkon më shumë se fushata informuese. Kërkon angazhim të qëndrueshëm institucional, dalje nga zona e konformitetit që disa profesionistë shëndetësor kanë zgjedhur ta bëjnë përkundër se e kanë obligim etik dhe ligjor që të mbështesin vaksinimin, komunikim të qartë dhe të besueshëm, dhe mbi të gjitha, rikthimin e përgjegjësisë kolektive, ku prindërit luajnë një rol kyç në këto momente, bashkë me drejtuesit e kopshteve dhe shkollave, të cilat duhet ta raportojnë  çdo vijues, që nuk e ka të kompletuar statusin e vaksinimit sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në Kosovë.

Epidemitë shkaktohen nga virusët dhe agjentët e tjerë infektivë. Por, ato ndihmohen të përhapen edhe nga idetë dhe vendimet e gabuara. Mos vaksinimi i fëmijës kundër fruthit është një prej këtyre gabimeve, madje gabim i rëndë.

(Autori është specialist i Shëndetësisë Publike në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe kryeredaktor i Revistës Mjeku)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK