Zërat
Faik Hoti
Faik
Hoti

Tri epidemi dhe një alarm

Zërat August 20, 2026 - 14:36

Kosova këtë verë po përballet me tri epidemi, me pasoja konkrete dhe shumë të rënda: epideminë e fruthit, epideminë e aksidenteve në trafik dhe epideminë e vdekjeve në vendin e punës. Në pamje të parë këto janë tri probleme krejtësisht të ndryshme, por kanë një emërues të përbashkët: parandalimin e dobët.

Fruthi është rikthyer. Pas një periudhe disavjeçare pa raste të raportuara (2017–2024), një rasti në vitin 2024 dhe 72 rasteve të regjistruara në vitin 2025, sivjet janë regjistruar 138 raste dhe numri vazhdon të rritet. Kjo statistikë nuk është thjesht një e dhënë për një virus. Është realitet për fëmijë të pambrojtur, për hezitim ndaj vaksinimit, për dezinformim dhe për prindër që nuk e kryejnë një përgjegjësi themelore: vaksinimin e fëmijës.

Por këtu duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm.

Në rastin e epidemisë së fruthit, shteti mund të bëjë shumë, por nuk mund ta vaksinojë fëmijën në vend të prindit. Institucionet shëndetësore vazhdojnë të informojnë, të vaksinojnë, të identifikojnë fëmijët e pa vaksinuar dhe t’i vaksinojnë ata përmes vaksinimit plotësues (catch-up), të organizojnë fushata dhe të kryejnë ndërhyrje epidemiologjike. Por, nëse prindi e refuzon vaksinimin për shkak se ka rënë në rrjetin e teorive konspirative, dezinformimit apo neglizhencës, përgjegjësia individuale është reale.

Ndryshe është situata me rrugët dhe vendet e punës.

Në tri ditët e fundit (17–19 gusht), pesë qytetarë të Kosovës humbën jetën në aksidente rrugore: dy në Surkish të Podujevës, një në Kliqinë të Pejës dhe dy të tjerë në Smrekonicë të Mitrovicës. Vitin e kaluar, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, 111 qytetarë humbën jetën në aksidente rrugore në Kosovë dhe ky trend negativ vazhdon edhe sivjet.

Përtej statistikave, kur një njeri vdes në një aksident trafiku, nuk mund të themi gjithmonë: “Ishte faji i shoferit dhe fati i tij i ‘shkruar’.” Faktori njerëzor është shumë i rëndësishëm, madje kryesori. Por siguria rrugore është një sistem i tërë që nis nga shoferi dhe mënyra se si ai është trajnuar në auto-shkollë dhe përfshin policinë, rrugën, sinjalizimin, infrastrukturën, kontrollin teknik, shpejtësinë, ndriçimin, edukimin, kulturën e vozitjes – nëse mund të themi se ekziston në Kosovë – dhe zbatimin e ligjit.

Dhe, nëse siguria apo pasiguria është produkt i të gjitha këtyre hallkave të sistemit, pyetjet që shtrohen janë: Çfarë po bën ky sistem për t’i parandaluar këto vdekje? A janë rrugët të sigurta? A ka shenja të mjaftueshme? A është shpejtësia e kontrolluar? A është bërë analiza e pikave të rrezikshme? A është ndërhyrë aty ku aksidentet përsëriten? A ka patrullime të mjaftueshme? A funksionojnë kamerat dhe mekanizmat e kontrollit? A ndëshkohen sa duhet shkelësit? Dhe, mbi të gjitha, a po përdoren të dhënat e aksidenteve për të parandaluar aksidentin e radhës?

Të njëjtat pyetje vlejnë edhe për vendin e punës.

Një punëtor që shkon në punë nuk duhet të vdesë, sepse punëdhënësi nuk i ka zbatuar masat e sigurisë. Vdekjet në ndërtim dhe në sektorë të tjerë nuk janë “aksidente fatale” që duhet t’i pranojmë si pjesë të jetës ekonomike. Ato janë, në shumë raste, dështime të parandalueshme.

Në korrik 2026, një tjetër punëtor humbi jetën pas rënies së një vinçi në një zonë ndërtimi në Prishtinë, ndërsa autoritetet arrestuan tre persona nën dyshimin për shkelje të rregullave të sigurisë në punë. Kjo nuk e kthen në jetë viktimën dhe, për më tepër, na çon te problemi kryesor, që shfaqet në secilën fushë: reagimi pasi të ndodhë tragjedia, në vend të parandalimit të saj.

Pas aksidenteve, si zakonisht, dalin deklaratat. Fillon hetimi dhe luhet “pingpongu” i shfajësimit, në vend të marrjes dhe adresimit të përgjegjësisë.

Nga këndvështrimi i shëndetit publik, siguria rrugore dhe siguria në vendin e punës nuk janë thjesht çështje trafiku, policie apo respektimi të rregullave të vozitjes dhe të sigurisë në vendin e punës. Janë çështje të parandalimit të lëndimeve, invaliditetit dhe vdekjeve të parakohshme. Siguria rrugore dhe siguria në punë nuk maten me atë se sa mirë reagojmë pas tragjedisë. Maten me atë se sa tragjedi kemi parandaluar.

Prandaj, këto tri epidemi të kësaj vere, vërtet të nxehtë, duhet të na shërbejnë si një alarm.

Fruthi kërkon vaksinim dhe përgjegjësi prindërore. Prindërit që nuk i kanë vaksinuar fëmijët nuk duhet të presin, larg qoftë, të vdesë një fëmijë që ta kuptojnë se sa serioz është fruthi. Dhe jo vetëm kaq, por duhet të vendoset edhe përgjegjësi për mosrespektimin e detyrimeve ligjore për vaksinim.

Trafiku kërkon ligj, kontroll dhe infrastrukturë të sigurt. Asnjë falje për shkelësit e rregullave. Kërkohet auditim serioz i sigurisë rrugore, identifikimi i “pikave të zeza”, përmirësimi i infrastrukturës, forcimi i kontrollit policor dhe përdorimi i teknologjive të reja për kontrollin e shpejtësisë dhe shkeljeve.

Vendet e punës kërkojnë inspektim real dhe masa të detyrueshme sigurie. A janë duke u ndërmarrë këto? Do ta mësojmë, fatkeqësisht, në vdekjen e radhës!

Si përfundim, në të tria rastet, qytetari ka të drejtë të presë të njëjtën gjë: që shteti të bëjë gjithçka që një vdekje e parandalueshme të mos ndodhë.

Sepse, kur një tragjedi përsëritet dhe askush nuk mëson prej saj, ajo nuk është më thjesht tragjedi. Është dështim.

(Autori është specialist i shëndetësisë publike).

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK