Rinumërimi i 494 vendvotimeve nis sot

Rinumërimi i 494 vendvotimeve nis sot

Zgjedhjet 2021 February 22, 2021 - 15:53

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është vendosur të rinumërohen 494 vendvotimeve për shkak të problemeve të auditimit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi,ka konfirmuar për “Klankosova.tv” se ky proces do të nisë sot.

“Ju njoftoj se sot, në orën 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, do të fillojë procesi i rinumërimit të 494 vendvotimeve, për të cilat ka marrë vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.

Vendvotimet, të cilat do të rinumërohen, janë ndarë në katër kategori nga KQZ-ja për arsye të mospërputhjeve të formularëve të rezultateve.

Arsyet e rinumërimit sipas KQZ-së kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime); bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve (6 vendvotime); kandidati ose kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime); dhe subjekti ka vota, ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime).