Prag zgjedhor për partitë boshnjake me vota të serbëve

Prag zgjedhor për partitë boshnjake me vota të serbëve

Zgjedhjet 2021 February 23, 2021 - 13:21

Vendet e garantuara që u takojnë komuniteteve joshumicë, pa u respektuar autenticiteti i votës, jo vetëm që e humbin kuptimin e tyre, por edhe bëhen pengesë serioze për funksionimin e demokracisë në përgjithësi, thotë ish-anëtarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gjyljeta Mihkolaj, profesoreshë në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Njohësi i çështjeve juridike, Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson që votat që ka fituar subjekti politik Komuniteti i Bashkuar i Adrijana Hoxhiqit nga mjediset me shumicë serbe, ku besohet se madje nuk ka asnjë boshnjak, janë vota të fituara me të drejtë, por përmes tyre nuk mund të synohen ulëset e garantuara për komunitetin boshnjak.

Ndërkaq, 48 organizata joqeveritare të komuniteteve joserbe në Kosovë kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me zhvillimet pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë, duke thënë që ekzistojnë përpjekje që të uzurpohen vendet e garantuara për boshnjakët dhe komunitetet e tjera joshumicë në Kuvendin e Kosovës.

Akuzat për uzurpim të vendeve të garantuara

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet 14 shkurtit Komuniteti i Bashkuar ka fituar 6.739 vota. Por në bazë të të dhënave të KQZ-së, mbi 5.300 vota ky subjekt politik i ka marrë nga komunat e banuara me shumicë serbe, ndër të cilat madje nuk ka numër të madh të boshnjakëve ose nuk ka fare, siç është Graçanica, Parteshi, Kllokoti, Ranillugu etj.

Po sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, koalicioni Vakat, po ashtu subjekt politik boshnjak, ka marrë 5.672 vota, prej të cilave të paktën mbi 700 vota janë evidentuar se kanë ardhur nga komunat e banuara me shumicë serbe.

Sipas Kushtetutës, komuniteti boshnjak ka të garantuar tri ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ende nuk dihet nëse Hoxhiqi ka fituar një ose dy nga këto ulëse për shkak se numërimi i votave po vazhdon.

Dy subjektet politike të tjera boshnjake, Unioni Socialdemokrat (SDU) dhe Partia e Re Demokratike (NDS), kanë akuzuar themeluesen e Komunitetit të Bashkuar, Adrijana Hoxhiq, se votat nga komunat me shumicë serbe i ka siguruar përmes Listës Serbe. Këtë të fundit e kanë akuzuar se po planifikonte që “përmes trupit të saj votues të ushtrojë ndikim dhe të vërë nën kontroll disa nga komunitetet joshumicë në Kosovë”.

Hoxhiqi, ndonëse ka pranuar se ka marrë vota nga mjediset me shumicë serbe, ka hedhur poshtë akuzat se ato i janë siguruar nga Lista Serbe.

Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Re Demokratike kanë paralajmëruar fillimisht ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa e më pas edhe në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Kushtetuese.

Lista Serbe është themeluar dhe mbështetet në vazhdimësi nga Beogradi zyrtar. Ky subjekt politik ka marrë shumicën dërmuese të votave dhe besohet që ka siguruar dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU.