Hysen Sali Cekaj tërhiqet nga gara për deputet, për t’u kujdesur për nënën

Hysen Sali Cekaj tërhiqet nga gara për deputet, për t’u kujdesur për nënën

Zgjedhjet 2025 December 08, 2025 - 13:31

Hysen Sali Cekaj, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka njoftuar sot se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme.

Në një komunikim drejtuar familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve, ai tha se vendimi vjen për shkak të përgjegjësive familjare, veçanërisht përkujdesjes ndaj nënës së tij, e cila ka nevojë për praninë e tij më shumë se kurrë.

“Siç e keni parë, kësaj radhe nuk do të jem kandidat për Kuvendin e Kosovës. Vullnetin, energjinë dhe bindjen për fitoren tonë të përbashkët i kam të plota. Por, përballë përgjegjësive që kam ndaj familjes sime, e sidomos ndaj nënës time, me keqardhje ju njoftoj se nuk do të jem pjesë e listës”, ka deklaruar Cekaj.

Ai theksoi se përkundër moskandidimit, angazhimi i tij politik nuk do të ndalet. Cekaj tha se do të vazhdojë të jetë aktiv në organizimin e mërgatës, duke apeluar që bashkatdhetarët të përkrahin Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ndryshimin që, sipas tij, vendi ka nevojë urgjente.

“Ky vendim nuk e ndalon angazhimin tim. Përkundrazi — mbetem plotësisht aktiv në organizimin e mërgatës sonë të mrekullueshme. I ftoj të gjithë bashkatdhetarët e mi në përkrahje të LDK-së dhe të ndryshimit të domosdoshëm për Kosovën”, u shpreh ai.

Cekaj u shpreh i bindur se në zgjedhjet e ardhshme do të rikthehet edhe më fuqishëm në garë dhe në angazhimet e tij për LDK-në dhe vendin.

Ai falënderoi të gjithë ata që e kanë kontaktuar pas marrjes së lajmit, duke kujtuar se mbështetja e mërgatës e kishte bërë atë kandidatin më të votuar në zgjedhjet e kaluara.