Elezi: Mbi 59 mijë pako votimi me postë të aprovuara, numërimi pritet të zgjasë disa ditë
Foto: Laura Hasani

Elezi: Mbi 59 mijë pako votimi me postë të aprovuara, numërimi pritet të zgjasë disa ditë

Zgjedhjet 2026 June 13, 2026 - 13:09

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) është në fazën e fundit të numërimit të fletëvotimeve.

Këtë e ka thënë në një konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, raporton Ekonomia Online.

Ai, ka bërë të ditur se gjatë ditës do të përmbyllet edhe numërimi i fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Prishtinës.

“Gjatë ditës së sotme (e shtunë, 12 qershor) është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi në përfaqësi diplomatike, ndërsa gjatë ditës do të përmbyllet edhe numërimi i fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Prishtinës, që shënon njëkohësisht përfundimin në të gjitha komuna, 28 sosh, të procesit të verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime të rregullta dhe numërimit të votave të kandidatëve për deputetë”, ka thënë ai.

Elezi, ka shtuar se në QNR kanë mbetur që të numërohen fletëvotimet nga votimi përmes postës.

“Në vazhdim të procesit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, kanë mbetur që të numërohen fletëvotimet nga votimi përmes postës, i mundësuar në 23 kutitë postare të KQZ-së; fletëvotimet nga votimi me kusht i mundësuar në 52 vendvotime me kusht dhe votimi i personave me nevoja të veçanta.”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, ka bërë të ditur se numërimi i votave nga votimi me postë do të marrë kohë disa ditë.

Ai ka shpjeguar edhe arsyen se përse janë refuzuar mbi dy mijë pako me vota nga diaspora.

“KQZ ka filluar me numërimin e votave nga votimi me postë dhe ky proces do të marrë kohë disa ditë. Siç e kemi shpjeguar më herët, nga 23 kutitë postare të KQZ-së të hapura për këtë lloj votimi, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, pjesa më e madhe e të cilave, deri më tani, janë vlerësuar nga shërbimi votues i KQZ-së dhe janë të gatshme për t’u numëruar. Deri në përfundim të ditës së premte (12 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë mbi 60 mijë pako, prej të cilave janë aprovuar 59,973, ndërkaq janë refuzuar 2,244. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,066 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, ka thënë ndër të tjera Elezi.

“Derisa të përfundojë numërimi i votave nga votimi përmes postës, do të përgatitet procesi për fillimin e numërimit të votave nga votimi me kusht, i cili është mundësuar në 52 vendvotime me kusht ku janë evidentuar 8,751 votues dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta i mundësuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile dhe ku kanë qenë të regjistruar për këtë lloj votimi 3,144 votues. Para se të fillohet me numërimin e këtyre fletëvotimeve, është duke u bërë skanimi i listës së votuesve të përdorur në vendvotime të rregullta dhe qëllimi është për të krahasuar të dhënat dhe për të evidentuar rastet eventuale të votimit të dyfishtë”, ka shtuar ai.